FSHF, “hetim” dy ndeshjeve të kampionatit

20/04/2010 12:00

Gabimet me emrat e futbollistëve në protokollin e ndeshjeve kanë bërë që Federata Shqiptare e Futbollit “të hetojë” Vllazninë dhe Maliqin.

Komisionet e institucionit që drejton futbollin në vend po grumbullojnë dokumentacionin rreth episodeve të fundjavës, pas akuzave se aktivizimi i lojtarëve që nuk figuronin të gatshëm është bërë me qëllim për të shkaktuar gabim teknik dhe për të humbur ndeshjen në tavolinë.

Tashmë FSHF do të shqyrtojë ngjarjet dhe pasi të marrë në pyetje zyrtarët e klubeve, delegatët dhe gjyqtarët, do të dalë me masa konkrete. Mundësia më e madhe është që dy skuadrat të humbasin ndeshjet në tavolinë, ndërsa nuk përjashtohen ndëshkime as për “xhaketat e zeza” që nuk janë treguar të vëmendshëm.

Në “Loro Boriçi” Vllaznia fitoi 3-2 me Skënderbeun, por në radhët e kuqebluve u aktivizua mesfushori me tipare sulmuese, Ansi Nika, i cili nuk figuronte mes lojtarëve të gatshëm. Në protokollin e takimit ishte shkruar emri i Bekim Balës, i cili ende nuk është kthyer nga prova te PSG. Një shkelje e rregullores, për të cilën zyrtarët korçarë kërkuan menjëherë tri pikët në tavolinë, ndërsa gabimin e mori përsipër zv.trajneri i shkodranëve, Esat Rakiqi.

Tifozët, ashtu sikurse edhe mediat, ngritën hipotezën e “dhuratës”, ndërsa drejtuesit e Vllaznisë këmbëngulin se bëhej fjalë vetëm për një gabim njerëzor dhe janë të gatshëm të ballafaqohen në Komisionin e Disiplinës. “Skenar” i njëjtë u regjistrua edhe në Grupin e Jugut të Kategorisë së Dytë, ku në takimin Maliqi-Domosdova u aktivizua Diko, emri i të cilit nuk ishte në protokoll. Lojtari hyri në fushë vetëm në 3 minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa rezultati final ishte 1-1.

Edhe kjo u cilësua si një nder, duke qenë se Maliqi nuk lufton për asgjë, ndërsa Domosdova ëndërron të ngjitet një kategori më lart. “Federata Shqiptare e Futbollit informon se ka ndjekur me vëmendje njoftimet e bëra në media mbi parregullsi në ndeshjet Vllaznia–Skënderbeu dhe Maliqi–Domosdova të vlefshme respektivisht për kampionatet kombëtare të Kategorisë Superiore dhe “Kategorisë së Dytë.

Sektorët përkatës të saj po punojnë për të mbledhur të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për sqarimin e ngjarjeve dhe rrethanave në të cilën kanë ndodhur ato”, theksonte “qeveria” e futbollit në një njoftim për shtyp. “FSHF siguron opinionin publik se organet e drejtësisë sportive do të marrin seriozisht në analizë faktet dhe dëshmitë e paraqitura dhe nuk do të ngurojnë të marrin masat e duhura për të gjitha subjektet, zyrtarët dhe gjyqtarët përgjegjës për to”.

Ky është rasti i parë që federata mundohet të vihet në lëvizje në këtë sezon pas dyshimeve të hedhura nga mediat. Kjo pavarësisht se që prej fillimit të fazës së tretë, të paktën në Kategorinë Superiore, Dinamo, Besa, por edhe Tirana janë përfolur sistematikisht për tolerime ndaj skuadrave që luftojnë për mbijetesë. Megjithatë, edhe në këtë rast, vështirë se do të ketë ndonjë rezultat konkret dhe gjithçka pritet të jetë vetëm një “flluskë sapuni”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA