Skuadra angleze e McLaren ka zënë 2 vendet e para në Çmimin e Madh të Kinës duke qenë dominuesi total në pistën e Shangait.
Kampioni i botës në fuqi Button ka prekur i pari vijën e finishit pasi fitoi duelin me bashkombasin e tij dhe njëkohësisht rivalin më të fortë, Ljuis Hamilton, i cili edhe pse zbriti deri në vendin e 16, më shumë mjeshtëri arriti ta mbyllë garën në vendin e 2.
Një nga shkaqet kryesore që i dhanë fitoren Jenson Button në Shangai ishte dhe mosndërrimi i gomave në xhiron e tretë, atëherë kur filloi shiu.
Dy fitore në katër gara, e ngjisin 30 vjeçarin Button në krye të klasifikimit për pilotë me 60 pikë, 10 më shumë se dyshja Alonso-Hamilton që ndajnë vendin e dytë.
Në podium është ngjitur edhe Nico Rosberg me makinën e tij Mercedes, ndërkohë që shoku i tij i skuadrës, mbreti i shiu dhe 7 herë kampioni i botës në këtë sport, Michael Schumacher u rendit vetëm në vendin e 10.
Skuadra e humbur e garës së Kinës është padyshim Red Bull. Dy vendet e para me Fetel dhe Veber në nisje krijuan idenë se do të ishin këta dy pilotë që do të komandonin garën, por nuk ndodhi ashtu.
Gjermani Sebastian Fetel e mbylli në vendin e 6, ndërsa australiani Veber në të 8-in. Me probleme ka qenë kjo garë me shi edhe për skuadrën e Ferrarit, që zuri vendin e 4 me Fernando Alonson dhe të 9 me Felipe Masën.
Pas kësaj gare, skuadra angleze e McLaren ngjitet në krye të klasifikimit për konstruktorë me 109 pikë, i ndjekur nga Ferrari me 73 pikë.
Pas 4 garave të para jashtë Europës, kampionati i Formula 1 rikthehet në kontinentin e vjetër, me Cmimin e Madh të Spanjës me 9 maj.
Top Channel