Vllaznia dhuratë korçarëve

17/04/2010 20:15

Ndeshja e shumëpërfolur mes Vllaznisë dhe Skëndërebut ka sjellë një gjetje të re “alla shkodrane” për të favorizuar korçarët.

Duket e habitshme, por nëse vërtet thuhet që futbolli luhet për tifozët, Vllaznia e ka bërë detyrën e saj pasi ka fituar 3-2 ndaj Skëndërbeut duke i larguar të kënaqur tifozët saj, por nuk ka lënë të pakënaqur skuadrën mike dhe cdo gjë duket sipas planit.

Në fundin e ndeshjes në fushën e lojës skuadra e Shkodrës ka aktivizuar një lojtarë të ri i cili nuk ekziston në protokollin e ndeshjes, një parregullësi kjo që i jep të drejtën skuadrës së Skëndërbeut të ankimojë dhe të marrë edhe këto tre pikë shumë të vyera.

Për momentin 3 pikët i mban Vllaznia dhe është në kuotën e 42 pikëve aq sa edhe Laci i vendit të katërt, por ndoshta këtë kuotë do ta mbajë deri në mbledhjen e komisionit të disiplinës ditën e mërkurë.

Për një parregullsi skuadra shkodrane është ndëshkuar në kupat e Europës kundër Dinamos së Tbilisit.

Ndërkohë lufta sportive në përballjet e kësaj jave ka qenë e pastër vetëm në stadiumin e Vlorës ku Flamurtari ka mundur bindshëm 3-0 Kastriotin.

Ndeshja e fazës së dytë mes tyre është ndërprerë dhe i ka kushtuar skuadrës krutane 6 pikë, pikët e asaj ndeshjeje dhe 3 pikë pasi është tërhequr pa përfunduar takimi.

Licaj ka hapur serinë e golave për vendasit duke shënuar që në minutën e 24-t të pjesës së parë, ndërkohë në të dytën krutanët mbeten me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq të kapitenit Shameti.

Falë epërsisë numerike Flamurtari thellon edhe avantazhin falë dy golave të Memellit respektivisht në minutat e 75-të dhe të 86-të.

Këto tre pikë janë shumë të rëndësishme për Flamurtarin i cili të paktën përkohësisht i është larguar zonës së ftohtë të klasifikimit pasi është ngjitur në vendin e 6-të me pikë të barabarta me Shkumbinin që ndodhet një pozicion më poshtë.

Ndërkohë sic pritej Dinamo ka toleruar me sa duket edhe ndaj Apollonisë ku është mundur 2-1, duke kapur rekordin e asnjë fitoreje në këtë fazë të tretë.

Pas golit të Sefës në minutën e 43-të, në pjesën e dytë është përmbysur gjithcka në favor të vendasve dhe këtë gjë e bën lojtari serb Bërkic me një dygolësh në minutën e 54-të dhe të 79-të.

Me këtë fitore ngjitet momentalisht në vendin e 9-të skuadra fierake, duke lënë poshtë Kastriotin, Skëndërbeun dhe në fund Gramozin.

Ky i fundit është mundur në këtë javë të 28-të të Superligës minimalisht 1-0 nga Laci. U duk një ndeshje e lehtë për lacianët që thuajse i kanë fituar të gjitha ndeshjet në fushën e tyre, por goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 76-të nga Kaja.

Në ndeshjet e tjera Besa është mundur nga Teuta në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 3-2 duke humbur kështu vendin e dytë që aktualisht e mban Tirana falë fitores 1-0 në Peqin përball, Shkumbinit që zhvilloi ndeshjen e parë pa tifozë.

Top Channel