
Partizani fitoi duelin për Superioren me Elbasanin. Falë golit të realizuar nga sulmuesi Erjon Rizvanolli në minutën e 41, skuadra kryeqytetase ka marrë tri pikë me shumë peshë në garën për t’u rikthyer në elitën e futbollit shqiptar.
Të kuqtë dominuan plotësisht ndeshjen e cilësuar nga trajneri Gerti Haxhiu si “sfida më e vështirë e sezonit” dhe realizuan objektivat kryesorë: marrjen e tri pikëve, rikthimi në vendin e katërt të klasifikimit të Kategorisë së Parë dhe afrimin me Elbasanin, për të pretenduar vendin e dytë (ngjitje direkte në Superiore).
Në anën tjetër, miqtë ishin protagonistë të një paraqitje shumë të dobët, ku jo vetëm që nuk kanë arritur të frenojnë vrullin e Partizanit, por nuk regjistruan asnjë goditje në portë.
Ashtu si pritej, në stadiumin “Selman Stërmasi” ishin të pranishëm një numër mjaft i madh tifozësh, si nga kampi i kuq, ashtu edhe nga Elbasani, në mbështetje të skuadrave të zemrës, për këtë sfidë tejet të rëndësishme. Por, me gjithë prezencën e afro pesëmijë të pranishmëve, spektakli ka munguar. Lojtarët e Partizanit kanë treguar shenja të qarta të presionit për të fituar me patjetër, e pavarësisht rreshtimit shumë ofensivë e kanë pasur të vështirë të krijojnë raste për shënim.
Episodi që vendosi ndeshjen u regjistrua në fundin e pjesës së parë, kur Partizani realizoi golin e fitores me Rizvanollin. Në të 41-n, sulmuesi përfitoi nga gabimi i pafalshëm i mbrojtësit Renato Hyshmeri dhe nuk ngurroi të përshëndeste rrjetën. Pjesa e dytë e ndeshjes vazhdon pa shumë histori, me elbasanasit që janë të pafuqishëm për të reaguar dhe vendasit që arrijnë të administrojnë me lehtësi avantazhin. “Edhe pse nuk zhvilluam një lojë të bukur për t’u parë, ishim praktikë dhe morëm rezultatin që kërkonim”, deklaroi trajneri Haxhiu.
“Për të thënë të vërtetën vuajtëm më pak nga sa e parashikuam, pasi kundërshtarët nuk na rrezikuan. Tani duhet ta harrojmë këtë fitore dhe të mendojmë për takimin e radhës, pasi koha në dispozicion për t’u përgatitur është e vogël”. Në fundjavë Partizani do të luajë kundër një tjetër rivaleje direkte, Lushnjës. Dënimi i trajnerit të “lagunarëve” Bano është një faktor pozitiv, por të kuqtë duhet të luftojnë kundër golashënuesit më të mirë të kampionatit, Dorian Bubeqi (20 gola) dhe tifozëve lushnjarë. Haxhiu theksoi: “Luajmë kundër skuadrës së vendit të dytë dhe kemi shansin që të ngjitemi edhe më shumë në klasifikim. Mendoj se Partizani ka kontingjentin më të mirë pas Bylisit kryesues, që tashmë është mjaft larg për t’u arritur. Për këtë arsye do të udhëtojmë drejt Lushnjës me synimin që të marrim tri pikët”.
Në klasifikimin e Kategorisë së Parë, përveç ballshiotëve që duket se e kanë siguruar një vend në elitë (63 pikë), në garën për tri vende mbeten katër skuadra. Vendi i dytë, që aktualisht mbahet nga Lushnja (49 pikë) siguron “biletën” tjetër për ngjitjen direkte. Ndërsa vendet 3 dhe 4, ku ndodhen Elbasani dhe Partizani me kuotë të barabartë pikësh (48) janë për zonën “play out”: kundër skuadrave që e mbyllin Superioren në vendet 9 dhe 10. Por, në garë është edhe Kamza e vendit të pestë, e cila ka grumbulluar 47 pikë.
Top Channel