Marrëveshja për memorialet e ushtarëve grekë, e miratuar më 25 mars ne Kuvend, ka hyrë së fundmi në fuqi, pavarësisht polemikave me të cilat u shoqërua ajo, ndonëse më të pakta se ato të marrëveshjes detare po me Greqinë.
Marrëveshja parashikon kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko–italiane të viteve 1940–1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Profesorë të institutit të historisë mendojnë se kjo marrëveshje duhet të rishikohet pasi mund të shfrytëzohet në rrethana të caktuara politike nga Greqia, deri në pretendime për territor shqiptar.
“Nisur nga konteksti historik i kohës kur janë zhvilluar ngjarjet dhe kërkesa e Greqisë për 2 ose 3 memoriale të tilla për t’u përdorur më vonë si kufij, unë them se ky është një veprim që duhet rishikuar dhe duhet mbajtur qendrim”, deklaron profesor Muharrem Dezhgiu.
Historianët Muharrem Dezhgiu dhe Fatmira Rama, të cilët kanë studiuar marrëdhëniet shqipatro-greke gjatë luftrave botërore, tregojnë se Greqia solli në Shqipëri ushtarë për të cliruar toka helene dhe jo ato shqiptare, një fakt i cili mbrohet edhe nga historianët grekë.
“Duke shtrire kërkesën e tyre absurde, sepse s’ka asnjë bazë historike, mbi trevat shqiptare mund të paraqitet edhe si argument historik, që forcat politike greke mund ta shfrytëzojnë”, thekson Dezhgiu.
Ndërsa Rama shprehet: “Në territoret që ata hynë, në Korcë, Ersekë, Leskovik, e deri në Gjirokastër, dihet që ata ngritën flamurin grek, një administratë greke, propaganduan se po clironin Shqipërinë nga ushtria italiane, por në fakt po clironin tokat helene”.
Marrëveshja për varret duhet të ishte reciproke dhe në këtë rast Shqipëria duhet të kërkonte ndërtimin e një memoriali në Camëri.
“Më habit fakti që kërkesa greke është për 2-3 meommoriale dhe kjo është bërë në mënyrë të njëanshme. Qeveria shqiptare, duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve, ka të drejtën morale për të kërkuar në mënyrë reciproke të drejtën për një memorial në camëri”, shton Dezhgiu.
“Këto varreza janë pranë manastireve shqiptare. Mendoj se Kisha Ortodokse Autoqefale shqiptare nuk është marrë me këtë problem”, thotë Rama.
Historianët mendojnë se përpara se klasa politike e vendit të marrë vendime të tilla kombëtare, që prekin gjithë shqiptarët, duhet të kerkojë mendimin e akademikëve dhe historianëve që njohin në detaje marrëdhëniet mes vendeve për të shmangur cdo lloj gabimi, gabime që sjellin polemika dhe reagime të shoqërisë dhe opinionit.
Top Channel