Bogdani po shkon drejt sulmuesit të katërt të Kievos

14/04/2010 12:40

Erjon Bogdani duket se e ka humbur ndjesinë e të qenit titullar në radhët e skuadrës së tij, Kievos, në Serinë A.

Situata e tij jo e mirë në klubin veronez nuk po gjen zgjidhje prej shumë javësh. Ndërkohë që po fiton gjithnjë e më shumë terren sulmuesi i ri De Paula, i cili deri në fillimin e fazës së dytë të Serisë A shikohej si sulmuesi i pestë në skuadër.

Pas një faze të mirë, ku bomberi shqiptar ishte zgjedhja e parë e trajnerit Mimo Di Karlo, përkrah të padiskutueshmit Pelisier, duke thyer konkurrencën me tre sulmuesit e tjerë (Granoke, Abruskato dhe De Paula), ishte dëmtimi në mollëzat e fytyrës, ai që e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe që e mbajti për më shumë se një muaj jashtë fushave, tashmë gjithçka ka ndryshuar.

Bogdani ka humbur besimin e teknikut të Kievos, i cili në fillim preferonte më shumë Granoken, ndonjëherë edhe Abruskaton. Minutat e Bogdanit në fushë filluan të rralloheshin, ndërsa po fitonte pikë i riu De Paula, i cili jo rrallëherë është parë si sulmuesi titullar përkrah Pelisier, duke luajtur në vazhdimësi këta muajt e fundit. Deri tani në këtë sezon Bogdani numëron vetëm 1044 minuta lojë, as sa gjysma e Pelisier (2812 minuta). Granoke ka grumbulluar 1008 minuta, 807 Abruskato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA