Java e 25 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me supersfidën Partizani-Elbasani. Këto dy skuadra do të ndeshen sot në “Selman Stërmasi”, në një duel që përveç tri pikëve, vlen edhe për të realizuar objektivin: ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Të kuqve u nevojitet patjetër fitorja, për të rimarrë vendin e katërt në klasifikim (zona e ndeshjeve “play-out”), që aktualisht mbahet nga Kamza. Me një rezultat të tillë, të besuarit e Gerti Haxhiut do të barazonin me pikë Lushnjën e vendit të tretë dhe do të rrezikonin vendin e dytë të Elbasanit. Kjo është një arsye e fortë përse verdheblutë do të paraqiten në kryeqytet të gatshëm për të luftuar, pasi disfata do t’i komplikonte shumë pozitat e tyre për pesë javët e fundit. Haxhiu është i vetëdijshëm për vështirësinë që paraqet ky takim, por shprehet optimist. “Partizani është një skuadër e ndërtuar për të fituar dhe do të japim maksimumin që të marrim tri pikët me Elbasanin. E respektoj kundërshtarin, por mendoj se skuadra ime ka më tepër kualitet”, tha ai.
“Natyrisht që nuk do ta kemi të lehtë, pasi jemi të detyruar të fitojmë dhe Elbasani mund të përfitojë nga presioni i Partizanit, për të shfrytëzuar gabimet tona. Por, nuk kemi rrugë tjetër, fitorja është i vetmi rezultat që na nevojitet”. Të kuqtë nuk humbasin në kampionat prej katër muajsh e gjysmë (disfata e fundit është regjistruar më 21 nëntor 2009 me Lushnjën) dhe në 14 takimet e fundit kanë regjistruar 9 fitore dhe 5 barazime. Elbasani ka grumbulluar 49 pikë në klasifikim, ndërsa për të vazhduar ecurinë pozitive, drejtuesit e klubit i kanë premtuar futbollistëve 10 milionë lekë të vjetra shpërblim. Ndërkohë, tifozeria verdheblu është organizuar për të mbështetur skuadrën e saj në këtë transfertë delikate. Madje, ata i kanë dërguar një letër zyrtare administratorit të Partizanit, Paro Laçi, që t’i rezervojë një vend të izoluar në stadium.
Top Channel