Jose Mourinho mund t’i bashkojë një nga mesfushorët më të mirë në botë skuadrës së Interit.
Bëhet fjalë për anglezin e Liverpool, Steven Gerrard, i cili është shumë i interesuar për t’u transferuar në klubin e Moratti-t. Gjatë përgatitjeve për ndeshjen miqësore me Egjiptin, Gerrard ka shprehur dëshirën për t’u stërvitur nga “Special One”, duke e ditur që edhe trajneri e pëlqen shume mesfushorin e “Tre Luanëve”.
Mesfushori ka një kontratë deri në vitin 2013 me Liverpool dhe fiton 7.7 milionë euro në sezon. Dy vjet më parë ai i tha “jo” ofertës së Chelsea-t, por tashmë gjërat ndryshojnë pasi drejtuesit e Liverpool kanë harruar të bëjnë investime për një skuadër kompetitive. Largimi i mundshëm i trajnerit Benitez dhe sulmuesit Torres do të thotë transferim i sigurt edhe për Gerrard.
Tek Interi i ri, në krah të Gerrard projektohet Miguel Veloso që do të transferohet nga Sportingu i Lisbonës. Ndërkohë, valixhet po i bën gati Sulley Muntari që kërkohet nga skuadra e Everton për 20 milionë euro.
Top Channel