Polemikat dhe pakënaqësitë e shumta që kanë karakterizuar këtë edicion të kampionatit kanë bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të përgatisë “furtunën” në strukturat e saj.
Eduard Prodani, sekretari i përgjithshëm i institucionit që drejton sportin më popullor në vend, ka konfirmuar se në fund të sezonit, do të ketë ndryshime në formën e organizimit në sektorin e garave dhe në atë të gjyqtarëve.
Reforma pritet të prekë thuajse të gjithë strukturën e FSHF-së, ku qëllimi kryesor është një funksionim më i mirë. Por në sektorin përgjegjës për mbarëvajtjen e kampionatit dhe në atë të gjyqtarëve, i cili është ndër më të akuzuarit nga klubet, ndryshimet do të jenë të ndjeshme.
“Po studiohet një formë më e përshtatshme dhe efikase e organizimit. Qëllimi i saj do të jetë funksionimi sa më i mirë i federatës në përballjen e sfidave të këtij 4-vjeçari, që pas Asamblesë Zgjedhore”, deklaroi Prodani. “Me punën që do të bëhet pritet të ndryshojë dhe të përmirësohet e gjithë struktura e institucionit. Edhe sektori i garave dhe ai i arbitrave do t’i nënshtrohen këtij procesi, por dua të theksoj se kjo nuk ka lidhje me krijimin e komisionit të Kategorisë Superiore të miratuar nga Komiteti Ekzekutiv”.
Top Channel