Liberalizimi i vizave, zbulohet draft-raporti për trafiqet

12/04/2010 09:05

Shqipëria vazhdon të përfaqësojë një vend origjine dhe një pikë tranziti për produktet e kanabisit, emigracionin ilegal, trafikimin e heroinës, kokainës dhe armëve drejt Bashkimit Europian.

Ky është vlerësimi i bërë nga ekspertët e Komisionit Europian në draft-raportin mbi liberalizimin e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Shengenit.

Gazeta “Shqip” ka arritur të sigurojë një kopje të draftit, i cili është hartuar nga ekspertët që vizituan Shqipërinë në datat 8-12 shkurt të këtij viti.

Konkretisht, dokumenti konfidencial flet për një pjesë të bllokut të tretë të udhërrëfyesit: lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogave.

Ky është dokumenti bazë i cili i është dorëzuar nga ekspertët në Komisionin Europian. Pala shqiptare është njohur me draftin në tërësi, pasi një kopje ka mbërritur në Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Integrimit dhe në Kryeministri. Tirana zyrtare ka nisur drejt Brukselit vërejtjet dhe plotësimet përkatëse.

Zyrtarët e Komisionit Europian, pasi të analizojnë draft-raportet mbi të katër blloqet e udhërrëfyesit me kategoritë e tyre dhe pasi të shohin vërejtjet e palës shqiptare, do të hartojnë raportin final mbi të cilin do gjykohet nëse Shqipëria do të propozohet në lëvizje pa viza apo jo.

Burimet nga Komisioni Europian thonë se në tërësi blloku i tretë është më problematiku në vlerësimin e ekspertëve dhe ai ka të bëjë me rendin dhe sigurinë publike (korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet). Në bllokun e parë, sipas burimeve, vihet theksi te problemi me menaxhimin e kufijve dhe konkretisht çalon situata në portet e Durrësit dhe Vlorës.

Sa u takon dokumenteve të identitetit që përbëjnë bllokun e parë, situata paraqitet përgjithësisht pozitive, ashtu sikurse edhe në bllokun e katërt ku flitet për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë.

“Lufta ndaj krimit të organizuar në Shqipëri vazhdon të jetë një çështje shqetësuese, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura në këtë sektor. Shumë sugjerime të bëra në raportin që nxori misioni në muajin mars 2009 (që mbulonte të njëjtat fusha) janë përmbushur. Megjithatë, duke marrë parasysh se ligje të rëndësishme dhe urdhra administrativë janë miratuar në muajt e fundit dhe kanë mbetur në letër: duhet më shumë kohë për të parë ecurinë në zbatimin e tyre”, thuhet në draft-raportin e ekspertëve.

Në konkluzione vlerësohet se oficerët e policisë janë shumë të motivuar, por se njësitë hetuese mbeten me staf të pamjaftueshëm dhe me kapacitete të ulëta investiguese: strukturave të policisë ju mungon një metodë moderne investiguese kundër krimit të organizuar dhe trajnimit në këtë fushë.

“Identifikimi i viktimave mbetet shumë i rëndësishëm, në mënyrë që të fillohet një çështje kundër trafikantëve të organizuar dhe më shumë përpjekje duhen bërë në praktikat e këtij drejtimi. Draft-raporti thotë se rënia në kultivimin e kanabisit është një element pozitiv, por kërkohen përmirësime të mëtejshme.

Sakaq, i mëshohet idesë se koordinimi i punës midis policisë në sektorët e trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore duhet të përmirësohet.

“Sistemi Memex është instaluar në të gjitha drejtoritë rajonale të policisë dhe drejtoritë e policisë kufitare, çka përbën një hap të rëndësishëm. Megjithatë, më shumë mund të bëhet që të garantohet funksionimi i plotë i këtij sistemi”, thuhet në dokumentin konfidencial.

Aty vlerësohet se këto faktorë kontribuojnë në një nivel të ulët të vendimeve gjyqësore dhe dënimeve, ndërsa qarku hetim-prokurori-dënim kërkon të jetë më efektiv.

Ekspertët thonë se disa përpjekje për përmirësime në aspektin social të mbrojtjes së viktimave të trafikimit dhe parandalimin e fenomenit u vunë re. Sa i takon trafikimit të qenieve njerëzore, draft-raporti thotë se rezultatet e luftës ndaj këtij fenomeni vazhdojnë të jenë pjesërisht të kënaqshme.

“Në vitin 2009, statistikat tregonin një rënie të përgjithshme, vetëm pak çështje u dërguan në gjykatë, asnjë nuk fliste për trafikim nga grupe të krimit të organizuar, asnjë për trafikim të minorenëve, asnjë për trafikimin e personave, pesë për trafikimin e femrave. Këto shifra lënë të kuptohet se fenomeni i trafikimit nuk ka përmasa serioze, ndryshe nga sa raportohet në shumë raporte ndërkombëtare, të cilat thonë se grupet e krimit të organizuar shqiptar luajnë një rol të madh në këtë fushë”, vijon raporti.

Ekspertët thonë se krahasimi me shifrat e larta mbi çështjen e “ndihmës për kalimin ilegal të kufirit” mund të tregojë se çështjet e trafikimit kalojnë pa u zbuluar ose janë klasifikuar gabimisht.

“Përpjekjet janë bërë në trajnimin, veçanërisht për identifikimin e viktimave, por çështjet e trafikut ku përfshihet krimi i organizuar duhet të hetohen me forma më moderne. Metodat hetuese duhen bërë më aktive në këtë fushë”, thotë raporti.

Sa i takon parandalimit, ekspertët vënë re disa përmirësime në raport me situatën e mëparshme, ndërsa kur flitet për koordinimin thuhet se një urdhër i ministrit të Brendshëm, më 5 shkurt 2010, ka shërbyer për përmirësimin e situatës në këtë drejtim, por mbetet për t’u parë zbatimi i tij.

Ekspertët flasin për një urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit më 25 janar 2010, ku flitet për ndarjen e kompetencave mes njësive të policisë në nivel qendror, rajonal dhe lokal në lidhje me fenomenin e trafikimit.

Gjithsesi, nënvizohet se dy oficerë policie në departamentin qendror që shërbejnë për koordinimin e hetimeve ndaj krimit të organizuar, nuk mjaftojnë për të realizuar një rol të rëndësishëm.

“Lufta ndaj strukturave të krimit dhe atyre të grupeve të krimit të organizuar në përfshirjen e tyre në trafikimin e qenieve njerëzore mbeten një problem që kërkon përmirësim”, thuhet në draft-raport.

Kur flitet për implementimin e konventës së Këshillit të Europës për trafikimin e qenieve njerëzore dhe veçanërisht viktimave të trafikut, përmenden disa nisja ligjore.

Konkretisht ligji i qeverisë për 27 janarin 2010, që amendoi ligjin mbi shërbimin dhe asistencën sociale. Ekspertët shprehin dyshime vetëm sa i takon alokimit të buxhetit për zbatimin e këtyre ndryshimeve.

Dokumenti thotë se në vitin 2010 është programuar financimi pjesërisht nga shteti për katër strehime të viktimave të trafikimit, por se buxheti ende nuk është caktuar. Draft-raporti vëren përmirësime edhe sa u takon masave për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA