Polonia ne zi, Presidenti dhe shume zyrtare vdesin ne aksident ajror

10/04/2010 15:00

Presidenti polak, Kazinski, bashkëshortja e tij, Maria, dhe një numër zyrtarësh të lartë të Polonisë, humbën jetën nga rrëzimi i avionit me të cilin udhëtonin, ndërsa i afroheshin aeroportit të Smolenskut, qytet në perëndim të Rusisë. (UPDATE)

Avioni me mbi 90 persona në bord është përplasur ndërsa përpiqej të ulej në një mot gjithë mjegull. Të gjithë personat që gjendeshin në aeroplanin e tipit Tu-154 kanë vdekur.

Në mesin e viktimave janë dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Polonisë, Sllavomir Skrzipek, shefi i shtabit të ushtrisë, gjeneral Francizek Gagor, dhe zëvendësministri i jashtëm, Andrzej Kremer.

Kazinski po udhëtonte drejt Rusisë për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të masakrës së Katinit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore mijëra oficerë dhe intelektualë polakë u ekzekutuan në pyllin e Katinit nga policia sekrete sovjetike dhe forcat e Ushtrisë së Kuqe.

Televizionet ruse kanë dhënë pamje të qindra njerëzve të mbledhur te monumenti që kujton viktimat e Masakrës së Katinit, duke mbajtur flamuj polakë.

Kazinski, 60 vjeç, u zgjodh president në vitin 2005, pasi mundi në zgjedhjet presidenciale kryeministrin aktual, Donald Tusk. Kazinski kishte deklaruar se do të garonte për një mandat të dytë presidencial në zgjedhjet e parashikuara për në vjeshtë.

Aeroplani Tu-154 i prodhimit rus, që përdorej për delegacionet zyrtare polake, ishte 20 vjet i vjetër. Sipas Agjencisë së Sigurisë së Aviacionit, ka pasur 66 aksidente të aeroplanëve Tu-154, gjashtë prej të cilave kanë ndodhur në pesë vjetët e fundit.

Top Channel