Sindikatat pyeten për ligjin minerar

08/04/2010 08:55

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë  dhe Energjetikës nisi dje diskutimin me sindikatat e pavarura për arritjen e konsensusit mbi projektligjin “Për statusin e minatorit”.

Zv.ministri Neritan Alibali zhvilloi takime të veçanta me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë takimeve, Alibali tha se me sugjerimet dhe vërejtjet që sindikatat do të bëjnë mbi draftin e hartuar nga grupi i punës do të nxirret një kuadër ligjor sa më i mirë dhe brenda mundësive që ka shteti shqiptar.

Ndërkohë, në konferencën e dhënë pas takimit me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, zv.ministri tha se me anë të këtyre takimeve do të realizohet objektivi që ligji të plotësojë kërkesat e punonjësve në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në Shqipëri.

Edhe në takimin me përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, zv.ministri shprehu qëllimin që drafti i hartuar nga grupi i punës të jetë produkt i bashkëpunimit mes qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që të realizohen edhe kërkesat e punonjësve në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në vendin tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA