Përmbarimi privat, “diplomohen” 65 juristë

05/04/2010 20:10

65 juristë i janë nënshtruar një testi kualifikues të shpallur prej javësh nga Ministria e Drejtësisë, për të konkurruar për marrjen e licensës së përmbaruesit privat.

Pas ligjit të miratuar në dhjetor 2009, sipas ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani, janë kaluar të gjitha procedurat dhe në qershor pritet ngritja e kësaj strukture të pavarur e që do të ketë dhomën e vet të përfaqësimit, sikurse avokatët dhomën e avokatisë.

Ministri Nishani shpjegon se shërbimi përmbarimor privat ka të gjitha atributet e atij shtetëror, me përjashtim të ceshtjeve familjare.

“Janë disa cështje që do t’i mbeten ekskluzivisht përmbarimit publik, si e drejta familjare dhe ajo e të miturve, për faktin se janë cështje sensitive dhe shërbimi përmbarimor i realizon ato pa tarifa. Ndërsa të tjerat do jenë kompetencë e shërbimit përmbarimor privat”, ka deklaruar Nishani.

Për të mos patur përplasje mes dy përmbarimeve, atij shtetëror dhe privat, si dhe për efekt transparence, me një fond të posacëm do të publikohen të gjitha cështjet përmbarimore.

“Nisur nga ankesat që ka pasur vazhdimisht në Ministrinë e Drejtësisë, që shpesh herë ekzekutimi i vendimeve gjyqësore nuk realizohet, është e drejtë të krijohet një trupë private jashtë atij publik, i cili nëse rezulton më i suksesshëm, mund të bëjë që në të ardhmen të kalohet në sistemin privat”, ka shtuar Nishani.

Pjesa më e madhe e juristëve që iu nënshrtuan testit ishin përmbaruas që punojnë në zyrat e shtetit dhe që presin të jenë të pavarur në këtë profesion.

Top Channel