SHBA dhe Kuba, bisedime në forumin e OKB-së

02/04/2010 10:40

Ministri i Jashtëm i Kubës ka zhvilluar një takim me një zyrtare të vjetër të Shteteve të Bashkuara, që konsiderohet si kontakti në nivelin më të lartë që zhvillohet prej vitesh mes dy vendeve.

Burime zyrtare amerikane kanë deklaruar se ministri Bruno Rodriguez ditën e mërkurë takoi Cheryl Millsh, shefja e personelit e sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Bisedimet u mbajtën gjatë një forumi të Kombeve të Bashkuara që u mbajt në Nju Jork për ndihmat për Haitin, pas tërmetit.

Një zëdhënës ka deklaruar se SHBA nuk ranë dakord me Kubën për gjithcka, por ndanë të njëjtin mendim për nevojat që ka Haiti.

Nga ana tjetër, edhe Kuba ka konfirmuar mbajtjen e takimit. “Ne shpresojmë që në të ardhmen takime të tilla të jenë të mundshme”, ka deklaruar Havana zyrtare në një komunikatë.

Top Channel