
Avionët izraelitë kanë kryer 13 sulme ajrore në Rripin e Gazës, zonë e kontrolluar nga lëvizja islamike e Hamasit.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave katër sulme u kryen në afërsi të qytetit Khan Junis, ku dy javë më parë dy ushtarë izraelitë humbën jetën në përleshjet me palestinezët.
Nga ana e tij, Izraeli ka deklaruar se operacionet kishin si objektiv katër fabrika që prodhonin armë. Nga sulmet nuk ka pasur viktima, por disa fëmijë kanë mbetur të plagosur.
Dëshmitarë nga vendngjarja dhe burime nga lëvizja e Hamasit thanë se sulmet izraelite goditën disa punishte metali, një fabrikë qumështi dhe disa kampe të vogla të militantëve të krahut ushtarak të Hamasit.
Aktet e fundit të dhunës janë më seriozet që nga përfundimi i sulmit izraelit në Gaza në janar të vitit 2009.
Palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut deklarojnë se 1400 banorë të Gazës humbën jetën në këtë konflikt, ndërsa Izraeli insiston se kanë qenë 1166.
Top Channel