Është koha për t’i shtuar ditës pak momente magjie. PranBela Sallata është prestigjatore në Cirkun e  Tiranës.

Pasardhëse e një brezi magjistarësh ku zanati trashëgohet në fshehtësi, Bela, siç e quajnë në rrethin e saj, është femra e parë prestigjatore dhe e vetmja deri më tani në Shqipëri.

Bela ka 25 vjet që interpreton numra magjikë. Megjithatë, çdo herë mbi skenë vjen sikur të ndodhte për herë të parë.

“Ka shumë emocion. Sepse po të dështoi truku, dështon gjithë numri”, thotë Bela.

Të manipulosh me lëvizjen nuk është një profesion i lehtë. Si për shembull të zhdukësh mes një kartoni një gotë me ujë, apo të zhvendosësh objekte pa e kuptuar spektatori.

“Me fëmijët përdor numra të forte, sepse ndryshe nga të rriturit ata e kuptojnë më lehtë. Ata gjejnë rrugën e shkurtër, ndërsa të rriturit mendohen më gjatë”, tregon Bela.

Përtej zgjidhjes së një skeme për sekretin e pazbuluar të numrave të shpejtësisë, të rriturit ndonjëherë besojnë se prestigjatori dhe magjistari janë një.

“Shumë kohë me parë më ka ndodhur që njerëz në sallë kanë sjellë gjarpër për të na prishur magjinë. Por ne nuk përdorim magji. Janë thjesht truke”, shpjegon Bela.

Por të qenurit jo magjik, ndonjëherë të bën të gabueshëm. Me një numër të pallogaritur mirë mund të ndodhë që finalja të mos shkojë si duhet.

“Një herë më ka ndodhur që asistentja ma preu litarin gabim dhe mua më dështoi numri, por e anashkalova me kujdes që të mos kuptohej dhe vijova me një numër tjetër”, rrëfen Bela.

Nga kjo arenë janë gjeneruar kahershëm prestigjitorë. Prej kohës së pasluftës brezat i kanë trashëguar njëri-tjetrit sekretet e profesionit. Pa i zbuluar ato, Fatos Roshi, udhëheqës artistik në këtë cirk na tregon sesi realizohet një truk.

“Numrat e shpejtësisë lidhen me teknologjinë, që tek ne nuk është shumë e përparuar, ne jemi të varfër në kuptimin e bazës materiale. Sjell këtu shembullin e Koperfildit”, thotë Fatosi.

Më pak përkushtim, e mbi të gjitha përpikëmëri, cdo numër shpejtësie arrin të jetë perfekt.

“Përdor lule, shami, cdo lloj materiali dhe e bukura është se arrij të bëj të besoj se aty ka magji”, tregon Bela.

Manipulimi me lëvizjet është arma më e fortë e një prestigjatori. As Bela e as kolegët e saj nuk mbartin mistere të magjisë, ndonëse suksesi i një pune këmbëngulëse i bën ata vetë të magjishëm.

“Numrat e ndryshëm dalin nga librat dhe literatura. Truke të ndryshme kanë specialitetin e vet. Zgjidhja e skicave, gotat, pjatat, shamitë etj, përbëjnë një ansambël të pasur mjetesh për ne”, thotë Bela.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel