Cecenët: S’kemi lidhje me atentatet në Moskë

31/03/2010 17:10

Një grup separatist cecen, me karakter islamik, ka mohuar përgjegjësinë për atentatin e dyfishtë të kryer në metronë e Moskës 3 ditë më parë.

“Nuk e kemi kryer ne sulmin në Moskë dhe nuk e dimë se kush e ka bërë”, ka deklaruar një zëdhenës i organizatës, duke folur në telefon nga Turqia.

I njëjti burim ka shtuar se grupi i tij ka planifikuar sulme në territorin rus, por kundër objektivave me vlerë ekonomike dhe jo kundër civilëve.

Ndërkohë, presidenti rus Dmitri Medvedev, pas atentateve që shkaktuan 39 viktima, ka firmosur sot dekretin për një sistem sigurie në sektorin e transporteve.

Objektivi, sipas zyrës së shtypit të Kremlinit është garancia e sigurisë në metro dhe parandalimi i sulmeve terroriste.

Top Channel