Hidhet shorti për gjyqtarin e Ruzhdies

30/03/2010 11:30

Ashtu sic ishte lajmëruar, është hedhur mëngjesin e sotëm shorti për të caktuar gjyqtarin që do të shqyrtojë cështjen e zgjedhjeve në komunën Ruzhdie.

Roland Jaupaj do jetë gjyqtari që do drejtojë procesin më të rëndësishëm dhe debatuar për shkak të përfshirjes në debatin politik për zgjedhjet e 28 qershorit.

Prokuroria e Fierit e mbylli hetimin për zgjedhjet në komunën Ruzhdie të Fierit pak ditë më parë dhe dosja prej 600 faqesh i është dorëzuar gjykatës së shkallës së parë në Fier.

Në gjykatë janë dorëzuar dosja voluminoze së bashku me kutinë e materialeve të qendrës së votimit për t’i hapur rrugën një procesi penal ndaj 9 personave, 5 nga të cilët janë komisionerë dhe 4 votues që është verifikuar se kanë votuar më shumë se një herë.

Akuzat janë për shpërdorim detyre, si dhe falsifikim të dokumentacionit bazuar në nenet 245 dhe 248 te Kodit Penal, si dhe votim më shumë se një herë dhe shkelje të fshehtësisë së votimit bazuar ne Kodin Zgjedhor.

Për këto akuza do të zhvillohet cështja gjyqësore ndaj shtetasve Bujar Kararaj, Shezai Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj, Pellumb Myrtaj, Pellumb Ferzaj, Qazim Alija, Ervin Myftaraj dhe Elmaz Donaj.

Top Channel