Financat e drobitura të skemës së sigurimeve

30/03/2010 16:45

Edhe pse periudha 2004-2009 ka shënuar rritjen më të madhe të të ardhurave nga kontributet me rreth 58 për qind, për shkak të rritjes së numrit të kontribuesve dhe rritjes se pagave kjo sërish nuk ka mjaftuar për të përmirësuar financat e drobitura të skemës së sigurimeve.

Të dhënat tregojnë se për të njëjtën periudhë shpenzimet janë rritur me një ritëm edhe më të lartë. Situata bëhet edhe më e zymtë, pasi në dy vitet e fundit ritmi i rritjes së të ardhurave ka rënë ndjeshëm, ndërsa ai i shpenzimeve vazhdon të mbetet i lartë.

Kjo në një kohë kur financat publike po kalojnë periudhën më të vështirë të viteve të fundit. Në këtë pikë qeveria duket nuk ka shumë alternativa, për të mbajtur në këmbë skemën e sigurimeve dhe shumë shpejt do t’i duhet që të ndërhyjë ose duke frenuar ritmin e rritjes së pensioneve ose të kërkojë për të tjerë individë që punojnë në të zezë.

Por edhe kjo e fundit sipas ekspertëve vetëm sa do të shtynte në kohë agoninë financiare të skemës që nëse nuk do të ulë numrin e atyre që përfitojnë do shndërrohet gjithmonë e më shumë në një barrë për buxhetin.  Banka Botërore në një raport të fundit, thotë se skemat e pensioneve në vendet e Europës Lindore janë thuajse të gjitha problematike dhe nuk mund të garantojnë qëndrueshmëri afatgjatë nëse qeveritë nuk do të ndërhyjnë me masa të forta për t’i reformuar ato.  
 

Top Channel