Severgnini: Shqiptarët shumë të rëndësishëm për Italinë

29/03/2010 21:55

Gazetari i “Corriere della Serra”, Beppe Severgnini deklaron se shqiptarët janë shumë të rëndësishëm për Italinë.

“Pas rumunëve, shqiptarët janë prania e dytë në Itali, si emigracion. E flisni shumë mirë gjuhën tonë. Ju jeni deshmi e kesaj. Por e pashë edhe këtu në Shqipëri, dhe e shoh çdo ditë në Itali”, shprehet Severgnini në “Shqip” në Top Channel.

Duke folur për nismën e ambasadës italiane “Dy popuj, i njëjti det”, Severgnini theksoi se “është ideja e dy popujve të përafërt që i ndan një det dhe që duhet të jenë edhe më shumë miq”.

“Për mendimin tim, çelësi i kësaj është pikërisht kjo. Njeriu duhet të ketë parasysh që gjërat ndryshojnë në një vend që ka parë keq. Unë kam miq shqiptarë. Një nga studentët e mi më të mirë, në fakultetin e gazetarisë, në universitetin shtetëror, ku jap unë mësim, është një djalë shqiptar. Ai ka ardhur me barkë në vitet 90 dhe tani është një student shumë i zoti, duke punuar me masterin. Kohët ndryshojnë dhe njeriu duhet të përshtatet, që të arrijë ta kuptojë një dukuri para se ta përshkruajë. S’ka më keq se një gazetar që flet për gjëra që s’i njeh fare, dhe kjo ndodh shpesh”, shprehet ai.  

Top Channel