Debati për bojkotin, PS mbledh asamblenë

27/03/2010 08:25

Qëndrimi politik i Partisë Socialiste rreth krizës do të marrë sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare një konfirmim të ri dhe formën e një vije institucionale.

Protestat dhe pjesëmarrja e kushtëzuar në Parlament janë artikuluar tanimë si dy instrumente presioni ndaj qeverisë, por që me votën e anëtarëve të asamblesë pritet që të përftohen edhe si një mandat politik për ekipin drejtues të PS-së në përpjekjen e tyre të re për transparencën e 28 qershorit, apo edhe provokimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Natyrisht, duke marrë në konsideratë qëndrimet e fundit të miratuara thuajse me konsensus, është e pritshme që mbledhja e asamblesë të mos shoqërohet nga të papritura, edhe pse në gjirin e selisë rozë është formalizuar një grup njerëzish që mendojnë ndryshe.

Për këto arsye, aktiviteti i sotëm mund të vendoset edhe në rrafshin e një formaliteti politik për nga pritmëria e debatit, por që gjithsesi vjen si një element përforcues në distancën që ekziston mes palëve.

Top Channel