Athina është përfshirë mbrëmjen e së martës nga protesta të fuqishme. Sindikatat kanë nxjerrë në shesh me mijëra vetë, të cilët protestojne ndaj politikave të qeverisë dhe krizës së thellë ekonomike në vend.

Pasi u mblodhën në sheshin përpara akademisë, portestuesit marshuan në rrugët kryesore të Athinës për t’u grumbulluar para sheshit të parlamentit, ku deputetët po zhvillonin një seancë plenare me temë shpëtimin e vendit prej falimentimit ekonomik.

Protestuesit kërkuan prej qeverisë anulimin e masave tepër shtrënguese që ka ndërmarrë ndaj klasës punëtore.

Qeveria është në konsultime për të bërë një sërë ndryshimesh në sistemin fiskal dhe social me qëllim uljen e deficitit tepër të lartë të financave të vendit, që kanë cuar ekonominë në prag falimentimi total.

Ndërsa kryeministri Papandreu deklaroi se nuk do të lejojë falimentimin e vendit edhe opozita konservatore e Antoni Samaras duket se do të përkrahë mazhorancën në ndërmarrjen e masave ekonomike që ka paralajmëruar.

Më herët lideri i Demokracisë së Re deklaroi se do të mbështesë qeverinë me qëllim shpëtimin e financave publike edhe pse në shumë pika politikat e dy partive janë të ndryshme.

Top Channel