Berisha: Internet për cdo familje

24/03/2010 12:00

Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që të nisë puna për dixhitalizimin e të gjithë sistemit për të pajisur me internet të gjitha familjet shqiptare.

“Për ministrin e Arsimit do kërkoja të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme që në të gjitha universitetet e vendit, pranimet ne degen e IT-së të trefishohen. Duhet të ndërmerret një konsultë me të gjithë rektorët dhe te diskutohet rreth kësaj domosdoshmërie”, theksoi kreu i qeverisë.

Ai shtoi se universitetet e vendit duhet t’i rrisin kuotat për këtë degë me 600 studentë dhe shtoi se nëse do të jetë e nevojshme edhe për pedagogë nga jashtë, të veprohet menjëherë. “Është shumë normale që në departamentet tona të ketë dhe profesorë të huaj. Nuk ka absolutisht asgjë negative në këtë mes. Ne jemi pas në drejtim te përgatitjes se IT-ve. Është e domosdoshme që secila ministri dhe agjenci të ndryshojë strukturën dhe të krijojë drejtoritë e IT-ve”, nenvizoi Berisha.

Më tej, ai shtoi se cdo familje duhet të ketë internet me bandë të gjerë. “Do ngrihet një rrjet ne kuadrin e partneritetit publik dhe privat si praktika më e mirë dhe më e suksesshme. Projekti i Shqipërisë dixhitale është projekti i shkëputjes nga një trashëgimi problematike për qytetarët shqiptarë. Duhet të shpejtojmë në të gjitha drejtimet sepse kemi marrë një zotim, internet me bandë të gjerë per cdo familje shqiptare”, tha kryeministri.

Në vijim të mbledhjes, ai iu kundërpërgjigj kryebashkiakut Edi Rama në lidhje me ceshtjen e shkaterrimit të sheshit “Skenderbej”. Sipas Berishës, nuk ka kryeqytet ne botë me një shesh qendror si ai i Tiranës. “Udhetimi në të është si një udhëtim në horror. Nuk mundet që interesa të caktuara të bllokojnë sheshin. Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milione dollarë. Qytetarët duan ta kenë sheshin e sheshtë, pastaj kur të vendoset për planin perfundimtar, le ta bejnë sepse paratë janë. Qe sot do vendosen kontakte me qeverinë vendore të Tiranës dhe do merret vendimi për te marrë një masë paraprake. Ne kemi punë me gropat sepse ky është nje turp dhe cdo i huaj që vjen thotë se fajin e ka qeveria që nuk ka dhënë fonde”, përfundoi Berisha.   
 

Top Channel