Në 24 mars, 11 vjet më parë, pak pas orës 20 të mbrëmjes NATO nis avionët e parë bombardues drejt territorit jugosllav, apo më saktë ajo cka kishte mbetur prej federatës së Titos.

Bombat e Aleancës nuk kishin asnjë efekt mbi Besartin, qytetar i Prishtinës, i cili i ndikuar nga deshira e madhe e shqiptarëve në ato ditë për ndëshkimin e Serbisë, nuk ndjente kurrfarë frike, megjithëse qyteti i tij i lindjes po bombardohej.

“Ka patur raste kur prej ballkonit të banesës kemi parë bombat duke rënë. Na kanë larguar prindërit disa herë nga frika e thyerjes së xhamave prej shpërthimeve. Megjithatë asnjëherë nuk e kemi ndjerë veten të frikësuar”, shprehet Besarti, qytetar i Prishtinës.

Shqiptarët nuk harrojnë atë që është arritur pas bombardimeve 78 ditore të NATO-s. Kështu, ish-ndërtesa e komisariatit të policisë serbe në atë kohë, tashmë është shndërruar në godinën e Ministrisë së Brendshme të Kosovës.

Ndërkaq në shenjë revolte kundër ndërhyrjes së NATO-s 11 vite më pare, komuniteti serb ka zhvilluar protesta në pothuajse të gjitha zonat e populluara prej tyre. Në këtë përvjetor serbët flasin ashpër për shqiptarët, mbushur plot urrejtje edhe pse ndodhemi 11 vjet më vonë. Megjithatë shprehen se Beogradi duhet të kërkojë falje për krimet pasi që të gjithë jemi njerëz e jetojmë në të njëjtin qiell.

“Normalisht edhe qeveria e Serbisë duhet t’i kërkojë falje popullit shqiptar. Të gjitha krimet janë krime dhe të gjithë jemi njerëz që jetojmë në të njëjtin qiell”, u shpreh banorja serbe e Graçanicës, Jorgovanka Popoviç.

Ndërsa kryetarja e shoqatës së të zhdukurve shprehet se po këmbëngulin me institucionet e Prishtinës dhe ato ndërkombëtare për gjetjen e tyre.

“Ne po këmbëngulim që institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të angazhohen më shumë që të gjenden të gjithë të zhdukurit dhe të rrëmbyerit. Po ashtu serbët të kthehen në shtëpitë e tyre nëse janë gjallë. Gjithashtu kërkojmë të na kthehen trupat e të vdekurve, pasi familjet kanë nevojë për to”, deklaroi Velica Tomaneviç.

Top Channel