Edhe pse pranvera ka hyrë, zona e Vermoshit në Shkodër është ende e bllokuar nga dëbora.
Trashësia e dëborës ka shkuar në një metër e gjysmë dhe kalimi në rrugën e cila pavarësisht se është hapur, është shumë e rrezikshme.
Në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” kalimi është thuajse i pamundur.
Përvec borës së ngrirë, problem është dhe rreshqitja e borës nga malet që formon orteqe të madhësive të ndryshme.
Nikoll Hysaj është detyruar t’i nxjerrë kalit të tij një certifikatë dhe me të udhëton për në Malin e Zi për t’u furnizuar me gjithcka që nevojitet.
Një mjet borëpastrues është i vetmi në zonë dhe për ta ndezur atë që të punojë më parë duhet ndezur një zjarr.
“Kjo rrugë ka arritur që të zhbllokohet me angazhimin total të ndërmarrjes. Këtu ka pasur edhe rrëshqitje masive të malit prej dëborës”, është shprehur Gjovalin Kodra, drejtor rajonal i rrugëve.
Në këto anë e ke të vështirë të dallosh shtëpitë, gjithcka është e mbuluar me dëborë, madje ka shtëpi që kanë të mbuluar nga dëbora dyert dhe dritaret.
Ndërsa rrugët e fshatit ashtu si dhe rruga nacionale të ngjasojne me një tunel dëbore.
Top Channel