Një skuadër e forcave speciale që po përpiqet të zgjidhë një situatë pengmarrjeje, sic ishte ajo e pak ditëve më parë në Tiranë ka në mesin e saj edhe një person, i cili edhe pse është pjesë e skuadrës, nuk është i armatosur.
Ai është negociatori. Nje profesion që përdoret gjerësisht në operacionet e forcave speciale në shumë vende. Përparimi ka tetë vjet që eshte bërë pjesë e skuadrave speciale dhe puna e tij është ta bindë pengmarrësin të dorëzohet, pa shkaktuar ende viktima ose para se te bëhet vetë viktimë.
“Unë duke folur u jap forcave taktike mundësinë që të më mbulojnë dhe në të njëjtën kohë ato më mbrojnë që të vazhdoj negociimin”, shprehet ai. Përkunder forcave të Renea-s që në situata të tilla duhet të jenë të paidentifikuar dhe të maskuar, ai duhet t’i prezantohet rrëmbyesit me emrin e tij, nuk mban maskë dhe është në frontin e parë, në mënyrë që të vendosë kontakt me rrëmbyesin.
“Themi se ne jemi përfaqësues të shtetit dhe u themi që ne nuk duam që të dëmtohen. U themi se është më mirë që të komunikojme bashkë, sepse kështu kemi edhe arritje ne bisedë”, shon Përparimi. Ai ka marrë pjesë në dhjetra operacione pengmarrje, ku të paharrueshme mbeten shembujt e pengmarrjes nga Agim Peqini në Cerrik, pengmarrja e një autobusi me pasagjerë në Rubik.
“Në lidhje me pengmarrjen e autobusit në Rubik, kerkesa e parë ishte qe t’i linin të hynin në Tiranë, që u mor seriozisht dhe u arrit qe të lejonin të largoheshin personat që ishin në autobus dhe t’i lejonin të shkonin për aty ku kishin për të shkuar”, vijon Përparimi. Pjesë e operacioneve kanë qënë edhe shpëtimi i njerëzve që kërkojnë të vrasin vehten, raste që konsiderohen serish pengmarrje nga ana juridike.
Celësi i komunikimit mes negociatorit dhe rrëmbyesit është prezantimi. Me pas, për negociatorin është e rëndësishme të klasifikojë tipin e pengmarrësit. Për këtë arsye atij i duhet një përvojë e gjatë, një punë dhe një shkollim i shumëfishtë për të qënë në gjendje të psikologjisë dhe të komunikojë me rrëmbyesin. Profesioni i negociatorit së fundmi është futur edhe në kapjen e të kërkuarve dhe kontrollin e banesave. Ai vlerëson se rastet më të rënda të pengmarrjes janë në burgje dhe ato terroriste, por që në Shqipëri nuk ka patur ende raste të tilla të rënda.
Top Channel