Presidenca spanjolle e BE-së është vendosur në pozicion të vështirë në Bruksel, ndërsa argumentonte para gazetarëve mospjesëmarrjen e saj në Konferencen e Ballkanit Perëndimor që u mbajt të shtunën në Brdo të Sllovenisë.
Megjithatë, sekretari i Shtetit, Losada, hodhi poshtë teorinë që Spanja mbështeti Serbinë. “Në mënyre të prerë, Spanja nuk e ka mbështetur dhe as nuk i ka dhënë këshilla asnjë vendi në lidhje me pjesëmarrjen në takimin e Brdos. Kjo vlen edhe për Serbinë dhe shpresoj që të jetë e qartë. Cështja e pjesëmarrjes së presidencës spanjolle varet nga mundesitë që ofron axhenda, por ajo që mund të them është se për presidencen, megjithëse ministri Moratinos nuk ishte aty, konferenca e Brdos reflektoi një imazh shumë pozitiv, pasi ajo i kontribuon stabilitetit në Ballkan”, tha sekretari i Shtetit per Punet e Jashtme të Spanjës.
Në lidhje me Kosovën, ministri i Jashtëm Moratinos ka deklaruar po ashtu se për takimin e nivelit të lartë për Ballkanin që presidenca spanjolle do të organizojë në Sarajevë, do merren parasysh sensibilitetet dhe ligji ndërkombëtar. Sekretari i Shtetit Losada shtoi se, ende nuk është gjetur formula e prezantimit të Kosovës në këtë tryezë.
Por për komisionerin e Zgjerimit Fule, palët e treta nuk mund t’i diktojne formula vendeve të rajonit. “Ne vlerësojmë se u takon vendeve të rajonit që të gjejnë formulën se si të ulen në një tryezë dhe jo palëve të treta që të mbështesin dikë apo ta detyrojnë atë për të pranuar zgjidhjen”, theksoi ai. Këto deklarata, zyrtaret e BE-së i dhanë në përfundim të Këshillit të Stabilizim-Asocimit me Kroacinë.
Top Channel