Topi: 22 marsi, ditë e dialogut dhe komunikimit

22/03/2010 12:30

Si përvit, në kryegjyshatën bektashiane mbërritën për urim edhe politikanët më të lartë të vendit. Një rast i mirë për ta që urimeve tradicionale t’u japin ngjyrime më politike.

Për shembull presidenti i Republikës, i cili mbërriti në kryegjyshatë i shoqëruar nga zonja e parë, e lidhi ditëlindjen e profetit Imam Aliu me ringjalljen e jetës dhe me ekuinoksin astronomik pranveror, që shënon fundin e dimrit. Një mënyrë e figurshme për të dhënë këtë mesazh:

“Eshtë dita e ringjalljes, e ringjalljes së natyrës, e ringjalljes së njeriut, e ringjalljes së dialogut, të komunikimit. Pra, është dita kur ne jemi më shumë optimistë se sa nga dimri që kaloi. Të jeni të bindur që nuk do të ketë dimër për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët që do të kenë shumë shpejt lajme të mira dhe për liberalizimin edhe për lëvizjen e lirë të njerëzve”, është shprehur Topi.

Në këtë pikë më e prerë ishte kryetarja e Kuvendit. Zonja Topalli e lidhi ditën me 22 marsin e vitit 1992, kur Partia Demokratike erdhi për herë të parë në pushtet.

Sipas kryetares Topalli, ky vit ka qenë shumë i rëndësishëm për proceset integruese dhe heqja e vizave do të mund të realizohet brenda pak muajsh.

“Heqja e vizave do të ndodhë shumë shpejt dhe ne këtë po lobojmë shumë fuqimisht, pavarësisht se ndokush po përpiqet për të na penguar”, ka pohuar Topalli.

Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nga ana e tij, që mbërriti i shoqëruar nga kryetari i Asamblesë Parlamentare Gramoz Ruci, u shpreh me tone pesimiste. Sipas tij, viti që shkoi ishte më i vështirë për shqiptarët për shkak të krizës ekonomike. Ndaj ai pati për ta një urim më ndryshe.

“Për një krizë ekonomike që po bëhet gjithmonë e më e rëndë dhe se gjërat janë në dorën tonë dhe se me ndihmën e Zotit do të bëhen më mirë”, ka thënë ai.

Në kryegjyshatë mbërritën për urim edhe kryeministri Berisha dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Top Channel