Vetëm tre ditë para samitit të lartë të Brukselit, kancelaria gjermane Merkel vazhdon të mos pranojë dhënien e një ndihme ndaj Greqisë. Propozon që në rast se Athina nuk mund të paguajë pagat e nëpunësve të kërkojë ndihmë të dyanshme nga BE-ja dhe nga FMN-ja, ndërsa rikonfirmon mbështetjen e saj për politikën dhe reformat e qeverisë Papandreu.
“Falenderoj kryeministrin grek Papandreu për masat e rrepta që nënkuptojnë reduktim sivjet me 4% te deficitit të vendit nga 12.7% që është tani”, deklaron Merkel.
Pozicionimin e saj përkrah edhe Holanda, ndërsa në krahun e udhëheqësve që kërkojnë mbështetje europiane për Greqinë rrjeshtohet edhe kryeministri italian, Silvio Berluskoni i cili deklaron se nëse BE nuk ndihmon një vend anëtar që është në krizë nuk ka arsye pse të ekzistojë.
Athina zyrtare duket se preferon më shumë një ndihmë europiane, por nuk përjashton edhe një mbështetje financiare të dyfishtë nga Eurozona dhe FMN-ja.
“Me përpjekjet dhe sakrificat e të gjithëve ne e dimë që do tja dalim mbanë, mjafton që vendi ynë të mund të marrë kredi me norma të palogjikshme interesi”, deklaron Papandreu.
Por sipas sondazheve të shtypit, 70% e qytetarëve grekë vleresojnë se gjendja e tyre ekonomike do të përkeqësohet në 6 muajt e ardhshëm.
Pasiguria për të nesërmen dhe mosmarrëveshjet në gjirin e BE-së kanë sjellë përsëri në fillim jave një zhytje prej gati 2 pikësh të Bursës së Athinës, ndërsa norma e interesit të bondeve greke është rritur përsëri në shifra rekord.
Top Channel