Big Brother, eliminohen Valoni dhe Ada

21/03/2010 08:00

Spektakli i së shtunës ka ofruar dinamikë, të papritura dhe surpriza të mëdha. Ditët në vazhdim nuk do të jenë më si më parë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.

Tre konkurrentë të rinj i janë shtuar garës për çmimin e madh. Dy vajza të huaja që vijnë nga Italia dhe Jordania e flasin shumë mirë shqipen. Konkurrenti i tretë është një djalë, Mandi. Ndryshe nga më parë, spektakli i së shtunës ka ofruar një eliminim të dyfishtë dhe emocione të mëdha. Valoni ka lënë shtëpinë, i votuar me 42% nga publiku, ndërsa në një televotim të dytë eliminohet Ada

“Qartësimet/sqarimet”

Gjatë kësaj jave banorët kanë debatuar, kanë shkëmbyer mendime, por edhe janë sqaruar me njëri-tjetrin. Jetmiri ka qenë ai që ka bërë më shumë përpjekje në këtë drejtim. Pikërisht për të parë komunikimin që banorët kanë pasur gjatë javës, është transmetuar një klip i titulluar “Qartësimet/sqarimet”. Momente të bisedave me njëri-tjetrin janë sjellë për publikun, por edhe për vetë banorët. “E rëndësishme është që ka pasur komunikim”, ka thënë Erioni pas transmetimit të klipit, ndërsa Jetmiri është shprehur se është i hapur dhe i gatshëm të kërkojë falje nëse ka ofenduar dikë brenda shtëpisë. Për të, Domenika është personi me të cilin nuk ka mundur të sqarohet. “E rëndësishme është që të jenë të sinqertë në atë që thonë, të jenë të vërtetë ashtu siç janë edhe në jetën reale”, ka thënë Klodi. Kur opinionisti i BB-së, Ariani, e ka pyetur sa u beson miqësive që janë krijuar në shtëpi, Klodi është shprehur se i ka marrë pozitivisht.

Jetmiri flet me Rrezartën

Teksa shkon në dhomën e rrëfimit, Jetmirin e pret një surprizë. Rrezarta, që ndodhet në studio, komunikon me të. Ajo i thotë se opinioni jashtë e ka pritur mirë, ndonëse ende nuk ka shkuar në Prishtinë, ndërsa i sugjeron Mirit të vazhdojë ashtu siç është dhe i thotë se i mungon. Nga ana e tij, Miri gjithashtu shprehet se Rrezarta i ka munguar, por nuk ka mundur të marrë ndonjë informacion nga “Vëllai i Madh” se çfarë po ndodhte me Rrezartën jashtë. “Mjafton që ti të jesh mirë, ndërsa të tjerat rregullohen”, ka thënë Jetmiri në përfundim të komunikimit.

Ada takon të motrën

Ka treguar vetëm se e shkuara e saj ka qenë e dhimbshme, e mbushur me probleme e vështirësi. Në një bisedë me Oltën, Ada ka treguar vetëm se e ka të vështirë të tregojë për të shkuarën dhe kjo e pengon atë të jetë aktive në shtëpi. Një surprizë ishte rezervuar për të. Një telefon bie në shtëpi dhe pas një çasti hutimi Ada kupton se në linjë është motra e saj. Emocionet e përziera me lot nuk e kanë lënë të thotë asnjë fjalë. Ndërsa linja shkëputet, Adës i kërkohet të shkojë në dhomën e rrëfimit ku takon të motrën. Pas shumë vitesh larg, ato e kanë rigjetur njëra-tjetrën vetëm pak kohë më parë. E motra e Adës ka treguar se ato kanë kaluar së bashku shumë vështirësi dhe janë forca e njëra-tjetrës. Teksa del në oborr, për të shfaqet një klip me nipin dhe mbesën që jetojnë në Itali.

Zarfi blu

Një tjetër zarf i mistershëm ka tërhequr vëmendjen e banorëve. Pas zarfit të kuq, që mbante një surprizë të madhe, shtëpinë e re, këtë radhë në shtëpinë e “Big Brother 3” gjendet një zarf blu. Sapo marrin lajmin e zarfit që ndodhet në dhomën e rrëfimit, banorët aludojnë se çfarë mund të fshihet në të. Disa mendojnë se është një eliminim i dyfishtë, të tjerë për konkurrentë të rinj që do të hyjnë në shtëpi. “Vëllai i Madh” garanton se brenda zarfit blu ka një surprizë të madhe, por që nuk do të zbulohet gjatë gjithë javës.

Dy konkurrentet e reja

“Vëllai i Madh” ka vendosur të ndryshojë dinamikën brenda shtëpisë. Banorëve u kërkohet të shohin në monitor, ku dallohen dy silueta. Ata fillojnë të aludojnë nëse janë femra apo meshkuj. E vërteta rreth tyre nuk mund të zbulohet lehtë. Hakiut i kërkohet të shkojë në dhomën e rrëfimit, ku gjejnë një prej vajzave. Arbana u ka komunikuar banorëve se asnjë nga vajzat nuk di shqip dhe ata duhet të mësojnë disa të dhëna rreth tyre si mosha dhe nëse kanë ndonjë lidhje. E njëjta gjë ndodh edhe me vajzën e dytë, ku Klodi, Jetmiri dhe Edi marrin disa të dhëna për të. Ato quhen Manial dhe Tatiana që vijnë nga Italia dhe Jordania. Në fakt, “Vëllai i Madh” i ka vënë në lojë banorët. Vajzat janë dy të huaja që flasin mirë shqip dhe do të jenë konkurrentet e reja të BB3.

Eliminimi i dyfishtë

Ndryshe nga më parë, spektakli i kësaj të shtune ka ofruar ethe të dyfishta të eliminimit. Që në fillim të spektaklit është lajmëruar se do të ketë jo një, por dy të eliminuar. Të kandiduarve, Bertinës, Domenikës, Klodit, Jetmirit dhe Valonit i është kërkuar që në dhomën e rrezikut të zgjedhin një nga banorët që duan të shpëtojnë, duke marrë fotografinë e duke e futur në zarf. Ada nuk u përzgjodh nga asnjë prej të kandiduarve dhe në këtë moment rrezikonte përjashtimin. Por përpara se Ada të vihet në një provë, ndodh eliminimi i parë. Me votat e publikut, Valoni e ka përfunduar aventurën e tij brenda shtëpisë. Ndërkohë Ada zgjedh që në televotimin që zgjati pak minuta bashkë me të të shkojnë në kandidim Bertina dhe Edi. Gjatë spektaklit publiku vendosi të ishte Ada e eliminuara e dytë, që do të linte shtëpinë.

Prova e javës me gazetën “Shqip”

Këtë javë “Vëllai i Madh” u ka ngarkuar banorëve të realizojnë një provë të veçantë. Në qendër të kësaj prove ka qenë gazeta “Shqip”. Të ndarë në tri grupe, në bazë të sloganeve të caktuara, banorët duhet të bënin diçka kreative. Hakiu, Domenika dhe Erioni kishin realizuar një shtrat ndërtuar me gazetën “Shqip”, nga ku shihet një dritare duke nënkuptuar simbolikisht komunikimin. Ada, Edi dhe Jetmiri kishin ndërtuar një varkë, me të cilën Edi dhe Ada kanë vozitur për pak minuta dhe një kioskë të shitjes së gazetave. “Jemi krenarë të mendojmë, të flasim, të shkruajmë shqip”, ka thënë Jetmiri, duke shpjeguar idenë e tyre. Grupi i tretë, Bertina, Klodi, Seldi dhe Olta kanë realizuar një koleksion veshjesh me gazetën “Shqip”. Një fustan nusërie, një veshje meshkujsh dhe një veshje pranverore për femra, shtuar këtyre edhe aksesorë si çanta apo të brendshme, kanë qenë krijimet e grupit të tretë. “Vëllai i Madh” e ka quajtur provën të fituar.

Mandi, një konkurrent i tretë

Atëherë kur është menduar se spektakli ka arritur në fund, kur surprizat kanë mbaruar, “Vëllai i Madh” ka befasuar banorët, por edhe publikun. Ndërsa konkurrentët ftohen të dalin në oborr për të shijuar një koktej, gjejnë aty Mandin. Fillimisht ata kujtojnë se ai do t’u servirë pijet, por u komunikohet se është banori i tretë që hyn në shtëpinë e BB-së.

Top Channel