
Në numrin e saj të fundit, revista prestigjoze britanike “The Economist” i kushton një shkrim të vecantë korrupsionit në Kosovë, duke bërë fajtorë jo vetëm qeverinë e zotit Thaci por edhe ndërkombëtarët.
Udhëheqësit e Kosovës, dy vjet nga shpallja e pavarsisë, janë vënë nën sulmin e ndërkombëtarëve për tolerimin e nivelit të lartë të korrupsionit.
Duke cituar shtypin e Kosovës, “The Economist” shkruan rreth situatës aktuale në vend, ku nga aferat korruptive një ministër ka përfituar miliona euro.
Artikulli vijon duke evidentuar përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së që kanë kërkuar për luftë aktive ndaj korrupsionit.
“The Economist” citon deklaratën e 15 marsit të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, i cili tha se politikanët e Kosovës nuk mund të presin nga komuniteti ndërkombëtar që ata të kryejnë detyrat e tyre.
“Të tilla fjalë peshojnë shumë në një vend si Kosova, ku shumë njerëz e konsiderojnë ambasadorin amerikan si një njeri që duhet t’i dëgjohet fjala”, theksohet në shkrim.
Artikulli për korrupsionin në Kosovë vijon duke u servirur lexuesve të kësaj reviste faktin se Piter Faith i ka paraqitur kryeministrit Hashim Thaci prova që implikojnë një ministër të kabinetit në korrupsion, si dhe kërkesën për ta shkarkuar.
Por “The Economist” vëren se nuk janë vetëm qeveritarët e Kosovës ata që duhet ta mbajnë të gjithë barrën e fajit për korrupsionin.
“Misioni policor i BE-së në Kosovë ka një ekip të posacëm që i dedikohet luftës ndaj korrupsionit, por deri tani nuk ka vepruar ndaj personave delikatë”, vijon artikulli duke lënë të nënkuptohet se bëhët fjalë për njerëz me pushtet.
Në përfundim të artikullit “The Economist” shkruan se serbët e Kosovës nuk i kanë shpëtuar përfshirjes në korrupsion dhe se bosët e mafias serbe bashkëpunojnë ngushtë me ata shqiptarë.
Top Channel