Fule: Përpjekjet e përbashkëta shpërblehen

19/03/2010 08:00

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fule ka vlerësuar se Brukseli dëshiron ta shohë Shqipërinë të integruar në BE.

Në një prononcim për “Shqip”, Fule është shprehur se vendi ka ende disa standarte të cilat duhet t’i arrijë para integrimit.

“Shqipëria sapo ka dalë nga një periudhë e vështirë politike. Si komisioner për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë, dëshiroj ta shoh Shqipërinë të bëjë hapa të dukshëm në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”, ka pohuar Fule.

Zyrtari evropian ka nënvizuar se tani Shqipëria duhet të përqendrohet tek procesi i liberalizimit të vizavë, objektiv për të cilin janë bërë shumë progrese gjatë vitit 2009.

“Opinioni i Komisionit Europian dhe rekomandimet që mund të bëhen nga komisioni për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët shqiptarë janë piketat e ardhshme të kësaj rruge. Përpjekjet që shënuan progres në 2009-n. Një punë e konsiderueshme është bërë vitin që shkoi dhe arritje të rëndësishme u realizuan në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian”, ka shtuar Fule.

Më tej ai ka vlerësuar se zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit plotësuan shumicën e standarteve ndërkombëtare dhe ka shtuar se KE ka nisur të hartojë opinionin mbi kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat.

“Zgjedhjet parlamentare të qershorit u vlerësuan që ishin në përputhje me shumicën e standardeve ndërkombëtare, edhe pse u vunë re disa probleme të cilat duhen zgjidhur. Vendi juaj aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian më 28 prill 2009 dhe Këshilli Europian ftoi Komisionin Europian të përgatisë një “opinion” mbi aplikimin e Shqipërisë”, ka shtuar Fule.  

Top Channel