Socialistët të enjten në Kuvend

17/03/2010 15:30

Partia Socialiste do të marrë pjesë në seancën e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë në pritje të reflektimit të mazhorancës, por pa u tërhequr nga kërkesat e saj për transparencen e plote te zgjedhjeve te 28 qershorit.(UPDATE)

Ka qenë ky vendimi i grupit parlamentar socialist, i cili kërkon nga kryeministri të heqë dorë nga qëndrimi i tij për të mos lejuar zbardhjen e plotë të asaj që socialistët e quajnë masakër elektorale.

Sekretari për Cështjet Ligjore në Partinë Socialiste Fatmir Xhafa theksoi se nisma e paraqitur nga socialistët është tërësisht kushtetuese dhe ligjore, në pajtim me vlerësimet që i ka bërë ligjit për komisionet hetimore, Komisioni i Venecias, si dhe është në përputhje me një precedent, sic është ai i vitit 2005. Pavarësisht faktit se nisma ligjore e socialistëve është deformuar nga shumica ne Komisionin e Ligjeve, socialistët do të jenë sipas Xhafës në kuvend duke kërkuar heqjen e pengesës që sipas tij është politike dhe jo ligjore.

“Nëse na kërkohet të lëshojmë për të bërë pazare ne deklarojmë se nuk kemi ndërmend ta bëjmë një gjë të tillë. I takon kryeministrit ta bëjë zgjidhjen, sepse i takon atij të jetë krye i urti në këtë vend. Berisha duhet të bëjë ofertën e tij”, u shpreh Xhafa.

Duke iu referuar debateve në Komisionin e Ligjeve zoti Xhafa tha se mazhoranca në asnjë moment nuk ka dashur të negociojë me opozitën por përkundrazi ka refuzuar në mënyrë totale nismën e saj duke mos lënë asnjë hapsirë për zgjidhjen e krizës.

“Ne kemi sot një ofertë, ndërsa pala tjetër nuk ka asgjë. Nuk mund të negociohet me ‘asgje-ne’. Nëse do te kishte një ofertë tjetër ne mund të uleshim dhe të negocionim”, theksoi Xhafa.

Sipas deputetit socialist në një situatë të tillë nëse shumica nuk do të tërhiqet atëherë lëvizja e opozitës është e qartë duke ju rikthyer protestave deri në rrëzimin e qeverisë.

Top Channel