Greqia dhe Austria lobojne per vizat

23/01/2010 08:15

Greqia dhe Austria i kërkojnë Bashkimit Europian që të avancojë përpjekjet për përfshirjen e Shqipërisë në zonën pa viza ashtu sikurse afrimin në union.

Ministri plotësues grek, Dimitris Droutsas dhe kryediplomati austriak, Michael Spindelegger, theksojnë në një letër drejtuar ministres së Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, se “Greqia dhe Austria, vende fqinje me shtetet e Ballkanit Perëndimor, po ndjekin zhvillimet me shumë kujdes dhe nënvizojnë progresin e arritur në vitet e kaluara, që kur këto vende adaptuan axhendën europiane.

Megjithatë shikohen probleme politike, sociale dhe ekonomike, që mbeten shqetësuese në perspektivën integruese të Ballkanit Perëndimor”. Dy ministrat thonë se është moment për të përcjellë një mesazh të qartë për këto vende. Greqia dhe Austria mirëpresin presidencën spanjolle të BE-së dhe nismën e saj për mbledhjen e një konference për Ballkanin Perëndimor në 10-vjetorin e Samitit të Zagrebit teksa nënvizojnë se viti 2014 mbetet një vit simbolik për rrugën e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në BE.

Ministrat mirëpresin konkluzionet e negociatave me Kroacinë; zgjidhjen e pranueshme të cështjes së emrit midis ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqisë, progresin e Serbisë drejt asaj cka pret faktori europian dhe ecurinë në procesin e MSA-së.

Ministrat mirëpresin progresin specifik që është vënë re në Kosovë, angazhimin e Bashkimit Europian në Bosnjë-Hercegovinë, inkurajojnë përpjekjet e Shqipërisë dhe Malit të Zi në bashkëpunim me komisionin europian në kuadër të aplikimit për anëtarësim në BE.

Ministrat kërkojnë përmbushjen e etapave dhe kritereve për të kaluar në një regjim pa viza për Shqipërinë dhe Bosnjën. Pak ditë më parë, Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, u shpreh “pro” zgjerimit të Bashkimit Europian edhe me vendet e Ballkanit. Në një konferencë shtypi që mbajti gjatë takimeve me krerët e BE-së në Bruksel, kreu i qeverisë greke shprehu hapur qëndrimin e qeverisë së tij ndaj cështjes së zgjerimit.

“Pas axhendës së Selanikut në vitin 2003, kur u hodhën themelet e zgjerimit me Ballkanin, në këto vitet e fundit rajoni ka humbur orientimin dhe ne duam t’i japim një dinamikë të re, pa ulur standardet që duhen plotësuar, por duke reduktuar burokracitë, me qëllimin përfundimtar përfshirjen e Ballkanit në BE, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore”, deklaroi Papandreu. Kryeministri grek e sheh 2014-n si vitin kur do të anëtarësohen të gjitha shtetet ballkanike në familjen europiane.

Top Channel