Me dhjetë gola të realizuar në kampionat, Hamdi Salihi është sulmuesi më i mirë i Rapidit të Vjenës. Përpara ndeshjes së sotme me Kapfenberg SV, shkodrani është provuar në disa pozicione të ndryshme të repartit ofensiv.
Në stërvitjen e fundit, trajneri Pakult e ka aktivizuar kuqeziun majtas, djathtas dhe në qendër. “Nuk jam i shqetësuar, stërvitja dhe ndeshja janë tërësisht të ndryshme”, tha Salihi.
Edhe pse mesatarja e golave të 25-vjeçarit është më e larta (një rrjetë në çdo 108 minuta), sulmuesi nuk luan rregullisht. “E përballoj edhe rolin si ‘xhol‘ në skuadër, pasi trajneri Pakult ma bëri të qartë se nuk do të aktivizohesha si titullar prej fillimit. E kisha të qartë atë që më priste kur u transferova te Rapidi. Në këtë skuadër, janë 20 lojtarë që luftojnë për një fanellë titullari. Duhet të përmirësohem edhe më shumë”, shtoi shqiptari.
Top Channel