
Peshëngritësja Romela Begaj, një prej sportisteve më të suksesshme në Shqipëri, nuk ka marrë ende shpërblimet për medaljet e fituara.
Ajo i bëri dje thirrje Kryeministrit të vendit të interesohet për këtë çështje. Sipas peshëngritëses që ka fituar disa medalje në aktivitete ndërkombëtare, Kryeministri Berisha duhet të shikojë çështjen e saj, që të mundësohet marrja e shpërblimeve që nga viti 2006 deri në vitin 2009.
Për të gjitha arritjet e saj në këto vite, sportistja nuk ka marrë asnjë shpërblim.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ekzekutivit, me anë të drejtorit të Sporteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vasil Bici. Ai bëri të ditur se peshëngritësja do të marrë shumë shpejt shpërblimin dhe se nuk ka më asnjë pengesë për këtë. Sipas Bicit, vendimi për shpërblimin është marrë tashmë dhe do të duhen vetëm dy ditë për ekzekutimin e tij.
Deri tani, sportistja me shumë medalje ka marrë nga shteti vetëm një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra. Ajo kërkon pagesën për arritjet në “Peskara 2008”.
Begaj thekson se vendimi i marrë nga Ministria e Kulturës nuk është për një shpërblim të plotë, por për një shpërblim të përgjysmuar. “Mund të them se edhe këtë shpërblim ma kanë përgjysmuar. Unë i bëj thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të më presë dhe të ma japë këtë shpërblim që unë meritoj”, tha dje Begaj, duke theksuar se nuk kërkon asgjë më tepër se ajo që i takon.
Top Channel