
Afro dy jave pasi ka zgjedhur Sanderlendin si skuadren ku do te vazhdoje karrieren, Lorik Cana detyrohet te largohet nga “macet e zeza”, per t’iu bashkuar Kombetares.
Dje ne mbremje, mesfushori u paraqit ne hotel “Tirana Internacional”, per grumbullimin e perfaqesueses perpara miqesores se 12 gushtit me Qipron. Pak perpara se te vendosej nen urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe, 26-vjecari deklaron se zgjodhi Premierligen angleze, per te luajtur kunder disa prej futbollisteve me te mire ne bote. Cana, i transferuar nga Olimpik Marseja per 6 milione euro, synon t’i shtoje muskuj dhe tru lojes se skuadres ne kampionatin e ri.
Ne Ligen 1 franceze, kuqeziu mori nofken “shkaterruesi”, por ai nuk preferon te shihet vetem si nje lojtar i forte. “Po, eshte e vertete: jam i forte dhe luftoj shume ne fushe. Kjo eshte nje prej karakteristikave kryesore te lojes time. Megjithate, jam edhe nje futbollist taktik, pasi eshte e pamundur te luash ne Premierlige pa kete cilesi”, u shpreh Cana.
“Ne Angli luajne shume prej futbollisteve me te medhenj ne bote dhe dua te tregoj nivelin tim kunder ketyre yjeve. Gjate gjithe jetes kam enderruar te luaj ne kete aktivitet, qe eshte Liga me e njohur dhe me e pelqyer ne bote. Mendoj se do te paraqitem ne nivelin e duhur, ne te kundert, nuk do te ndodhesha ketu”.
Fillimisht u mendua se shqiptari do te ishte kapiteni i Sanderlendit, por ai theksoi: “Nuk kam biseduar me trajnerin Stiv Brus per kete ceshtje. Momentalisht jam i perqendruar te arrij formen optimale, por mendoj se ndoshta do te ishte me mire nese kjo detyre i besohet nje lojtari qe e njeh me mire klubin dhe lojtaret. Une mundohem gjithmone te jem kapiten ne rolin tim. Gjithsesi, ky mbetet vendimi i trajnerit”.
Per shkak te ngarkeses dhe faktit qe gjate fundjaves se ardhshme do te debutoje ne kampionatin anglez, mesfushori pritet te mos luaje me shume se 45 minuta ne “Qemal Stafa” kunder qiprioteve. Impenjimi i Canes me Kombetaren nuk u prit mire nga trajneri Stiv Brus. Drejtuesi i stolit te Sanderlendit eshte i zemeruar, pasi pervec shqiptarit, ai duhet te punoje edhe pa 12 lojtare te tjere (te gjithe te grumbulluar me perfaqesueset respektive), kur mungojne vetem pak dite nga fillimi i kampionatit.
Kjo ishte edhe arsyeja perse kuqeziu luajti vetem 34 minuta, ne miqesoren e barazuar 1:1 me Harts. “Eshte nje situate qesharake, por tani asgje nuk me habit”, u shpreh tekniku. “Do te me duhet te punoj pa 13 lojtare, ne nje kohe kur te shtunen e ardhshme do te luajme ndeshjen e pare te kampionatit. Prej impenjimeve me Kombetaret, u detyrova te lija titullaret jashte formacionit”.
Te vetmit qe munguan ne grumbullimin e djeshem ishin portieri Samir Ujkani, sulmuesi Hamdi Salihi, qe mberrijne sot ne mesdite dhe mbrojtesit Debatik Curri dhe Armend Dallku, te cilet do t’i bashkohen ekipit ne oret e vona te mbremjes. Nderkohe, Kuzhe vendosi te mos e zevendesoje talentin vlonjat, Franc Veliu, i cili po testohet te skocezet e Selltik.
Top Channel