
Kampionati shqiptar po respekton me përpikmëri traditën. Paralajmërimet e disa drejtuesve të futbollit, por edhe të disa gazetarëve se, fundi i sezonit mbart më vete edhe mundësinë e madhe të trukimit të ndeshjeve, është kthyer në realitet në këto tri javë përmbyllëse të edicionit të 70.
Zhurmën e madhe e bëri pikërisht java e 32-të (e parafundit), ku për çudinë e të gjithëve të katër skuadrat e dala jashtë objektivave sezonale (“mesi i artë” i tabelës), Dinamo, Teuta, Shkumbini e Besa, shënuan humbjet e vetme. Një koincidencë, e cila ka bërë të bien mbi ta hije dyshimi për rezultate të paracaktuara.
Sikur të mos mjaftonin këto dyshime, para dhe pas këtyre ndeshjeve kanë dalë në pah edhe disa “fakte”, që konfirmojnë lojën e papastër të disave prej tyre (flitet për një “sms” imponuese, apo edhe për akuza trajnerësh për tentativa manipulimi). Pa dashur të akuzojmë askënd, na duhet të theksojmë se, të gjithë (të ashtuquajturit) fakte, duhet të verifikohen për të marrë vlerë.
Gjithsesi, palët nën akuzë janë mbrojtur me batutën “na mungonte motivimi”. Më në fund dje ka mbërritur edhe reagimi federatës shqiptare të futbollit, e cila ka garantuar se të gjitha ndeshjet e dyshuara do t’i nënshtrohen lupës së transparencës.
Organi më i lartë i futbollit në vend ka pohuar shqetësimin për situatën kaotike pas javës së 32-të në lidhje me tolerimet e disa ekipeve të Kategorisë Superiore dhe u bën thirrje të gjithë faktorëve të ndikojnë në rritjen e nivelit të futbollit në Shqipëri, që të bëjnë maksimumin për ruajtur vlerën e lojës, cilësinë dhe ‘Fair Play’”.
Duke theksuar përmirësimin e dukshëm në këto tre vite të dy dekadave të fundit dhe angazhimin e saj të madh për të ruajtur vlerën e lojës dhe përpjekjet, që gara të jetë sa më e pastër, FSHF ka pohuar se katër ndeshjet e përfolura në media do të vihen në “hetim”, mbi të gjitha Shkumbini-Bylis.
“Kemi dërguar inspektorët e disiplinës, për të kontrolluar garën dhe për të sjellë materiale të vlefshme, të cilat do të merren në konsideratë nga komisionet përkatëse. Sidomos për ndeshjen Shkumbini – Bylis, por edhe për disa ndeshje të tjera…S’i gjithmonë, duke premtuar transparencë”, shkruhej dje në deklaratën e institucionit më të lartë të futbollit.
Po ashtu FSHF u ka kërkuar të gjithë faktorëve që ndikojnë në shmangien e situatave të tilla dhe të kontribuojnë në përmirësimin e imazhit të futbollit. Çështja e trukimeve nuk është një e re për kampionatin tonë. Çdo fund sezoni nuk mungojnë zërat për ekzistencën e manipulimeve. Por të në gjitha rastet e mëparshme askush nuk ka faktuar. Prandaj kjo çështje vazhdon të mbetet një nga pikat më të errëta të kampionatit shqiptar, ku besueshmëria është në nivele të ulëta.
Top Channel