Bie Pakult, kroatët, alternativat e vetme kuqezi

19/05/2009 09:05

Ngushtohet përditë e më shumë rrethi për kandidatët potencialë që do të marrin drejtimin e Kombëtares shqiptare. Peter Pakult, njëri prej tre trajnerëve që shihej si alternativë së bashku me Ilija Lonçareviç dhe Josip Kuzhe, ka dalë zyrtarisht nga gara për stolin kuqezi.

Aktualisht, 49-vjeçari drejton Rapidin e Vjenës në Bundesligën austriake dhe të shqetësuar për zërat e vazhdueshëm rreth së ardhmes së teknikut, klubi ka dalë me një deklaratë për shtyp. Aty sqarohej se gjithçka është përfolur janë thjesht spekulime dhe se Pakult do të respektojë kontratën, e cila e lidh me nënkampionët e Austrisë deri në vitin 2010.

“Rapidi nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim të ardhmen e trajnerit dhe të stafit teknik. Edhe Pakult nga ana e tij nuk ka kërkuar asnjëherë të largohet nga skuadra për të tentuar një aventurë të re. Kjo është arsyeja përse besojmë se drejtuesi i stolit do të respektojë angazhimin që ka me klubin tonë”, sqarohej aty.

Pakult e ka rinovuar kontratën së fundmi dhe në marrëveshjen e re nuk janë përfshirë klauzola për largimin. Përveç Shqipërisë, ish-trajneri i Mynih 1860, Karnten e Dinamo Dresden përflitej si kandidat potencial edhe për Kaizerslauternin, skuadrën e cila militon në Bundesligën II gjermane.

Pakult ishte trajneri i vetëm, nga tre që mbetën në listë, me të cilin presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk kishte zhvilluar ende raundin e dytë të bisedimeve.

Por tashmë, duket se ky takim nuk do të mbahet më, pasi e ardhmja e austriakut është e lidhur me Rapidin e Vjenës. Për këtë arsye në garën për të punuar në përfaqësuesen shqiptare mbeten vetëm dy kandidatët nga Kroacia: Ilija Lonçareviç e Josip Kuzhe.

Me të dy këta trajnerë janë zhvilluar biseda, ku institucioni që drejton sportin më popullor në vend ka parashtruar kushtet e kontratës (1 vit me opsion rinovimin edhe për një vit e gjysmë, pra deri në fund të eliminatoreve të Euro 2012), ofertën financiare, qëndrimin e detyrueshëm në Shqipëri si edhe objektivat që duhen arritur.

Vetëm pak ditë më parë Duka premtoi se pasardhësi i holandezit Ari Han do të zgjidhet brenda kësaj jave, ndërsa largimi i Pakult nga orbita kuqezi duket se e ka lehtësuar vendimin. 56-vjeçari Kuzhe “sponsorizohet” nga ish-tekniku i Shqipërisë, Oto Bariç. Pas takimit me krerët e federatës në Tiranë ai nuk e fshehu dëshirën për të marrë drejtimin e skuadrës. Por, 64-vjeçari Lonçareviç nuk është një alternativë për të mos u marrë parasysh: ai punon prej shumë vitesh në futbollin kroat, duke drejtuar disa prej skuadrave më të mira të këtij vendi. Që prej nëntorit 2006 ai punon me ekipin e Ligës së Parë (Prva HNL), NK Osijek.

Top Channel