
Hamdi Salihi vazhdon të shënojë në Bundesligën austriake.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë i përpiktë në takimin me golin edhe në sfidën e kësaj fundjave, ku Riedi mposhti 3-0 Rapidin e Vjenës.
Kur vendasit ndodheshin në avantazh 2-0, pas dygolëshit të Rodriguez-Ortiz, 25-vjeçari kuqezi ka realizuar golin e tretë. Vetëm pak çaste përpara pushimit mes pjesëve, ai devijoi drejt rrjetës një harkim të saktë nga Leksas, duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar, Pajer.
Në këtë mënyrë, Salihi konfirmon formën e jashtëzakonshme që po kalon (madje ku ka shënuar edhe në miqësoren me Milanin në Tiranë), duke regjistruar golin e 12 sezonal në elitën e futbollit në Austri. Fitorja e Riedit ka mbyllur zyrtarisht edhe garën për titull: Rapidi ishte rivali më i afërt i Salzburgut, që pas rezultateve më të fundit është shpallur matematikisht kampion. Përveçse ka vendosur fatin e Bundesligës, në këtë sezon skuadra e kuqeziut mban edhe një rekord mjaft domethënës: Riedi është e vetmja që në sezonin aktual nuk ka pësuar asnjë humbje në fushën e saj.
Top Channel