Pas favoreve, Shkumbini pa sponsor

18/05/2009 08:20

Xhavit Ismaili largohet nga Shkumbini. Presidenti i skuadrës ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen, vetëm pak orë pas humbjes së katërt radhazi të skuadrës.

Të shtunën peqinasit u mposhtën 2-0 përballë Bylisit, në fushën asnjanëse të Elbasanit. Një ndeshje e përfolur për fiksim rezultati, zëra të cilët u përforcuan kur vetëm pak minuta përpara se skuadrat të hynin në fushën e lojës, trajneri Magani nuk ka pranuar të qëndrojë në stol.

Me tri humbjet e fundit, Shkumbini u ka “falur” pikë të gjitha ekipeve që ende kanë objektiva në këtë sezon të Kategorisë Superiore: Vllaznisë, Tiranës dhe Bylisit.Por, Ismaili nuk ka folur për rezultatet sportive, duke e justifikuar vendimin me çështje personale.

“Kam shumë angazhime të tjera dhe për mua është e pamundur të qëndroj. Për shkak të detyrës si president i skuadrës kam lënë pas dore shumë punë të tjera. Dëshiroj të theksoj se të drejtosh një skuadër si Shkumbini është përgjegjësi e madhe, por gjatë këtyre dy viteve jam munduar të jem korrekt. E kam të pamundur të vazhdoj, edhe sepse banoj larg ekipit dhe nuk mund ta ndjek vazhdimisht”, deklaroi Ismaili.

Ai hodhi poshtë çdo zë që fliste për debate me drejtuesit e tjerë peqinas: “Krisje mes drejtuesve? Nuk ekzistojnë krisjet apo debatet, ata janë miqtë e mi. Jo vetëm që s’ka pasur asgjë të tillë, por ne vazhdojmë të ruajmë marrëdhëniet e shkëlqyera. Janë arsye personale dhe pune”.

Vendimi drastik ka ardhur që prej gjysmëfinales se Kupës së Shqipërisë me Flamurtarin. Ismaili deklaroi publikisht se nuk do të pranonte gjykimin e ndeshjes së kthimit nga gjyqtarë të huaj, madje do t’i kërkonte bordit drejtues të Shkumbinit që ekipi të mos zbriste në fushë.

Por, takimi u zhvillua dhe vlonjatët kaluan në finale me fitore në tavolinë, për shkak të dhunës ndaj treshes italiane të gjyqtarëve dhe lojtarëve kundërshtarë. Ai e përjashton edhe mundësinë e sponsorizimit të ndonjë skuadre tjetër.

“Do të largohem nga futbolli. Me atë që bëhet në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ia vlen të investosh më në këtë sport. Ata janë shkaktarët.Që pas ndeshjes në Kupë me Flamurtarin e kisha marrë vendimin, por prita fundin e sezonit. Federata nuk e mori mendimin tonë për zhvillimin e ndeshjes dhe kjo më detyroi të largohesha. Nuk do të jem në asnjë klub tjetër. Nëse do të kthehem, do të sponsorizoj vetëm Shkumbinin”.

Në Elbasan e kanë akuzuar se me tolerimin ndaj ballshjotëve, Ismaili ka “vulosur” largimin e verdhebluve nga Superiorja. Me humbjen përballë Partizanit dhe fitoret e Apolonisë e Bylisit, kur ka mbetur edhe një ndeshje nga mbyllja e sezonit, skuadra e Ramadan Shehut nuk ka më asnjë shans për të mbijetuar.

Por, akuzave të kryebashkiakut Qazim Sejdini, ish-drejtuesi i Shkumbinit iu përgjigj: “E kuptoj pozicionin e tij të vështirë. Ndoshta edhe unë në pozita të tilla ashtu do të veproja. Dëshira ime ishte që Elbasani të qëndronte në elitë. Do të më pëlqente ta shihja këtë skuadër kampione dhe jo duke rënë nga kategoria. Gjithsesi, dua ta falënderoj zotin Sejdini, të cilit i kërkoj të logjikojë me gjakftohtësi dhe jo të bëjë deklarata të tilla. Ai duhet ta gjejë të keqen brenda skuadrës së tij dhe jo te të tjerët”.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA