Flamurtari fillon punën për Evropën

18/05/2009 08:35

Fitorja 3-2 në fushën e Teutës ka bërë që Flamurtari të sigurojë matematikisht qëndrimin në Kategorinë Superiore. Pas realizimit të këtij objektivi, tashmë në Vlorë kanë filluar të mendojnë për merkaton.

Synimi është përforcimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm, kur kuqezinjtë rikthehen pas plot 13 vitesh mungesë në kupat e Evropës. Ata do të luajnë në turin e dytë eliminator të Europa League dhe drejtuesit e klubit kanë përpiluar një listë me emrat e rinj që do t’i shtohen kontingjentit të Eqerem Memushit.

Objektivat kryesorë janë Devi Muka dhe Rezart Dabulla, dy lojtarë me shumë eksperiencë, që mund t’i japin skuadrës më shumë kualitet. Shefi i klubit, Geri Çipi, ka konfirmuar se futbollistët e Tiranës kryesuese në kampionat shihen si shumë të vlefshëm për Flamurtarin. Ata shihen si dy kolona të forta, nga ku do të fillojë puna për skuadrën e ardhshme, ku ambiciet janë për të rikthyer bregdetarët si protagonistë brenda dhe jashtë vendit.

“Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe sigurisë matematike se do të vazhdojmë të luajmë në Superiore, tashmë është e natyrshme që të fillojmë nga puna për përforcimin e skuadrës”, deklaroi Çipi.

“Flamurtari ka nevojë për t’u përforcuar, pasi rikthehemi në kupat e Evropës, por edhe sepse kërkojmë të ndërtojmë një skuadër që konkurron mes më të mirave në Shqipëri. Kemi hartuar një listë me lojtarët e mundshëm që shihen si alternativa për të luajtur në Vlorë gjatë sezonit të ardhshëm. Emrat ende nuk janë bërë publikë, por mund të them se i kemi hedhur sytë te dy lojtarët e Tiranës, Devi Muka dhe Rezart Dabulla. Ata shihen si elementë mjaft të vlefshëm, nga ku do të hidhen bazat për Flamurtarin e ardhshëm”.

Kapiteni i bardhebluve nuk e ka fshehur dëshirën për të mbyllur karrierën në qytetin e lindjes dhe pas polemikës me ish-trajnerin Agustin Kola nuk përjashtohet mundësia që ai të pranojë ofertën e kuqezinjve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA