
Pas vetëm katër ditësh, tre “Topa të Artë” dhe katër kampionë bote, të inkuadruar në skuadrën e Milanit, do të zbresin në fushën e blertë të “Qemal Stafës” për t’u ndeshur në një ndeshje miqësore me një seleksion të Kombëtares kuqezi, të përbërë shumica nga lojtarë të kampionatit tonë të futbollit.
Tashmë është zyrtarizuar lista e lojtarëve të Milanit, të cilët trajneri Ançeloti do t’i ketë në dispozicion për këtë sfidë.
Ashtu si një vit më parë, skuadra italiane do të vijë me të gjithë yjet, pasi Ronaldinjos, Maldinit, Shevçenkos & Co. do t’i shtohen këtë herë edhe emra të famshëm të futbollit botëror si Bekham, Kaka, Zambrota, Gatuzo dhe Pato.
Këtë herë do të jenë tre “Topa të Artë” dhe katër kampionë bote (me Italinë) si Inzagi, Pirlo, Zambrota e Gatuzo. Ato yje që i kanë parë gjithnjë nga televizioni, ata do t’i shikojnë tani direkt në fushë. Shqipëria nuk do të paraqitet me lojtarët e saj më të mirë, pasi 12 maji nuk është një datë e lirë e UEFA-s, gjë që bën klubet përkatëse të mos i lejojnë të jenë të pranishëm.
Megjithatë, disa prej titullarëve kuqezinj të Kombëtares sonë (Kristi Vangjeli, Samir Ujkani, Ervin Bulku, Dorian Bylykbashi, Jahmir Hyka, Klodian Duro, Hamdi Salihi) e kanë konfirmuar prezencën e tyre në këtë ndeshje të madhe.
Kjo ndeshje miqësore do të luhet në orën 19:00, në impiantin më të madh të vendit, më 12 maj 2009 dhe do të transmetohet direkt në platformën “SuperSport”. Fondet e mbledhura nga kjo ndeshje do të shkojnë në dobi të fëmijëve në nevojë. Ndeshja ka si qëllim të sensibilizojë shoqërinë për më shumë kujdes dhe dashuri për ta. Dje u bë e ditur edhe axhenda e Milanit gjatë 12 orëve të qëndrimit në vendin tonë. Është parashikuar edhe një konferencë për shtyp, kur përveç Galianit dhe Ançelotit do të jenë të pranishëm edhe Kaka e Bekam.
Top Channel