
Tirana e Vllaznia, dy rivalet më të ashpra në luftën për titull në këtë sezon të kampionatit shqiptar të futbollit, vazhdojnë të duelojnë në distancë, duke mos i lëshuar terren njëra-tjetrës.
Duket se edhe në javët në vazhdim do të ketë një luftë të fortë mes tyre, nga e cila do të përfitojë ajo që do të gabojë më pak.
I këtij mendimi është edhe portieri veteran i bardhebluve, Blendi Nallbani, i cili kërkon të largojë euforinë e momentit nga skuadra, duke filluar që nga ndeshja e kësaj jave kundër Elbasanit. “Elbasani duhet të marrë vlerësimin e duhur, shprehet ai.
Të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe ta fitojmë ndeshjen, pasi na duhet patjetër të marrim 3 pikët për të qëndruar në krye. Unë jam optimist se, me një tjetër fitore ne bëjmë një hap të madh përpara”. Tirana beson te realizimi i objektivit të saj, fitimit të titullit të 24 kampion, edhe pse vështirësitë do të jenë jo të vogla. Ka një grup të mirë lojtarësh, të cilët janë garantë për një performancë të mirë në pjesën e mbetur të sezonit. Për ta bërë këtë do të duhet të japë maksimumin e saj në 7 ndeshjet e mbetura.
“Si fillim të fitojmë ndaj Elbasanit, nënvizon portieri i 23 herë kampionëve të Shqipërisë. Kampionatit i mbeten 7 javë, që për ne janë të gjitha ndeshje si një finale. Kemi kualitete, harmoni në grup dhe grinte që përbëjnë avantazhet tona, pa harruar edhe emrin e mirë që kemi krijuar gjithë këto vite”. Objektivi i bardhebluve mbetet edhe Kupa e Shqipërisë. Ata janë kualifikuar për në gjysmëfinale, ku i pret një ndeshje e vështirë përballë Vllaznisë. “Sigurisht që edhe të mërkurën duam rezultat pozitiv në Shkodër ndaj Vllaznisë për Kupën, pasi Tirana i do të dy trofetë”, përfundon Nallbani.
Top Channel