Dopingu, Lorik Cana tentoi “rebelimin”

18/03/2009 09:30

Lorik Cana mendoi të niste “rebelimin” ndaj Agjencisë Franceze të Antidopingut në kampionatin francez.

Kjo për faktin e thjeshtë, se krerët e AFLD-së hodhën idenë që të krijonin kartela personale për të gjithë kapitenët e skuadrave në Ligën 1 dhe 2 dhe t’i nënshtronin ata ndaj kontrolleve surprizë, ashtu sikurse ndodh rëndom në atletikë.

“Kisha vendosur që të kontaktoja me të gjithë kapitenët e skuadrave që militojnë në Ligën 1.Të gjithë ne duhet ta kundërshtojmë këtë kontroll, që mund të ndodhë në çdo periudhë të vitit, madje edhe kur nuk luajmë”, deklaroi 25-vjeçari. Gjithsesi, në momentin e fundit Cana hoqi dorë. Por, aleatët e mesfushorit shqiptar, që mban shiritin e kapitenit tek Olimpiku i Marsejës, nuk mungojnë.

Pjesa më e madhe e liderëve në klubet e tjera nuk e shohin me sy të mirë idenë e ADFL-së. Ndër ata që i kundërshtojnë fort kontrollet e shpeshta është edhe Klod Makelele, ish-lojtari i Çelsit dhe përfaqësueses franceze, që tashmë luan te PSG. “Është qesharake, tha ai. Nuk mund t’u nënshtrohemi kontrolleve edhe kur jemi me pushime, mes familjarëve dhe miqve tanë, dhe kërkojmë pak qetësi”.

Top Channel