
Florentino Perez do të prezantohet në zgjedhjet presidenciale të Realit të Madridit me premtimin se do të afrojë disa yje në skuadër.
Pasi ka marrë “dritën jeshile” të familjes, ai ka konfirmuar kandidaturën për këtë detyrë. Për të fituar mandatin e dytë në krye të “merengues”, 62-vjeçari ka paraqitur një listë me shtatë prej futbollistëve më të mirë në qarkullim, të cilët do të jenë objektivat e merkatos së ardhshme.
Sipas mediave spanjolle, nëse Perez do të fitojë zgjedhjet e prillit në “Santiago Bernabeu”, biznesmeni i njohur në gadishullin Iberik synon t’u rikthejë madrilenëve lavdinë. Ish-presidenti i Realit cilësohet si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e klubit, edhe sepse deri në këto momente askush nuk ka pranuar të kandidojë kundër tij.
Pasi ka shqyrtuar shumë lojtarë, Perez ka zgjedhur ata që përforcojnë skuadrën dhe tërheqin vëmendjen e tifozëve dhe të sponsorëve.
Në listën e tij figurojnë emrat e Kristiano Ronaldos, Kakasë, Stiven Xherard, Ksabi Alonsos, Fernando Torres, David Vijës dhe David Silvës. Në rast se fiton besimin e aksionerëve të klubit, kandidati për president premton afrimin e disa prej këtyre lojtarëve të klasit botëror.
Në fakt, asnjëri prej këtyre objektivave nuk përbën surprizë, edhe sepse në të kaluarën emrat e tyre kanë qarkulluar në ambientet e Realit të Madridit. Por, përveç dy lojtarëve të Valencias, David Vija dhe David Silva, Perez do ta ketë të vështirë të blejë ndonjë prej yjeve të tjerë të listës së tij. Dëshira për treshen e Liverpulit duket e parealizueshme: Xherard synon të luajë përjetë në “Anfilld Roud”, Torres është rritur si futbollist te rivalët e Atletikos së Madridit, ndërsa Ksabi Alonso ka origjinë baske, një krahinë e cila njihet për urrejtjen ndaj kryeqytetit spanjoll.
Por, sipas “News of the World”, njeriu që ndërtoi skuadrën “Galaktike” nuk u trembet këtyre detajeve dhe pritet të ofrojë 100 milionë sterlina për Xherard e Ksabi Alonson: 80 milionë sterlina për kapitenin dhe 20 për mesfushorin e kombëtares spanjolle.
Mjaft të vështira shihen edhe alternativat Kristiano Ronaldo dhe Kaka. Mesfushori portugez ka filluar bisedimet me Mançester Junajted për rinovimin e kontratës, ku sipas marrëveshjes së re, 24-vjeçari do të përfitojë 180 mijë sterlina në javë. Në anën tjetër, fantazisti i Milanit tregoi se nuk i “interesojnë” lekët, duke refuzuar një ofertë faraonike nga pronarët arabë të Mançester Sitit.
Top Channel