
Lorik Cana do të jetë plotësisht i gatshëm për t’i shërbyer Kombëtares shqiptare më 28 mars, në sfidën me Hungarinë.
Mesfushori kuqezi është rikuperuar nga dëmtimi në gju dhe pritet të jetë një prej lojtarëve kyç në takimin që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”.
Pas ndeshjes në Kupën UEFA kundër Ajaksit, u krijua përshtypja se 25-vjeçari kishte sërish probleme fizike, edhe sepse ai u aktivizua vetëm 45 minuta në fitoren 2-1 të Olimpikut të Marsejës. Në Francë spekulonin se lojtari ishte dëmtuar sërish, madje se rrezikonte edhe supersfidën e së dielës, ku skuadra e Erik Gerets luan me PSG-në.
Megjithatë, Cana ka hedhur poshtë çdo dyshim, duke deklaruar se aktivizimi vetëm për një pjesë loje ishte i llogaritur. “Nuk jam dëmtuar, por së bashku me stafin teknik preferuam të mos rrezikonim, pasi ishim duke fituar. Jam ende në fazë rikuperimi dhe ndihesha pak i lodhur, sepse nuk është e thjeshtë të luash një ndeshje në tre ditë pas dëmtimit”, ishin fjalët e zv/kapitenit kuqezi.
“Duke parë rrjedhën e lojës kundër holandezëve, vlerësuam se nuk i nevojitesha më skuadrës. Për më tepër që nuk duhej të mbingarkohesha, pasi të dielën kemi një sfidë shumë të rëndësishme, siç është ajo me PSG-në”.
Edhe pse luajti pak, prezenca e Canës e ndihmoi Marsejën. Ai nuk u tërhoq as nga dyluftimet e forta, ku pas një ndërhyrjeje të paqëllimshme me bërryl, dëmtoi suedezin Rasmus Lindgren. Për ndeshjen me Ajaksin, mesfushori shtoi: “Për fat të keq mund ta kishim mbyllur çështjen e kualifikimit që prej ndeshjes së parë. Kaluam në avantazh 2-0 dhe papritur pësuam gol. Më tej, kundërshtarët luajtën për pothuajse një pjesë loje në inferioritet numerik, por nuk arritëm të përfitonim as prej kësaj. Fitorja ka vlerat e saj edhe sepse holandezët janë një skuadër e rrezikshme.
Kualifikimi për në turin tjetër të UEFA-s është në duart tona dhe duhet të përdorim të gjithë eksperiencën që kemi akumuluar. Gjithsesi, ky rezultat na shërbeu për moral në prag të ndeshjes në Paris”. Konfirmimi i gjendjes së mirë të Canës, është një lajm i mirë për trajnerin Ari Han, kur mungojnë vetëm dy javë nga përballja me skuadrën e vetme që i ka shkaktuar Kombëtares humbje deri në këtë fazë të eliminatoreve të Botërorit 2010. Prezenca e tij në mesin e fushës është e domosdoshme dhe kjo u pa fare qartë në takimin e luajtur më 11 shkurt me Maltën, ku Shqipëria vuajti presingun e një ekipi që në letër ishte dukshëm më inferior.
Kundër Hungarisë, në dispozicion të ekipit do të jetë edhe kapiteni Altin Lala. Kapiteni është kthyer në nivelet optimale fizike dhe kjo konfirmohet prej faktit se ai është grumbulluar me ekipin e parë të Hanoverit për sfidën e sotme me Borusian e Dortmundit.
Nuk përjashtohet që mesfushori 33-vjeçar të aktivizohet, pasi në radhët e të kuqve mungon amerikani Çerundolo. Deri më tani, ai ka zhvilluar tri ndeshje me ekipin e amatorëve të Hanoverit, ku ka shënuar edhe një gol. Rikthimet e Canës dhe Lalës i shërbejnë shumë Kombëtares, mbi të gjitha në këtë periudhë, kur shumë lojtarë titullarë po kalojnë ditë të vështira në klubet ku militojnë.
Top Channel