Haxhihyseni fiton “biletën” evropiane

14/03/2009 08:45

Federata Shqiptare e Peshëngritjes bën marsh mbrapa dhe rikthehen në ekipin kombëtar Endri Haxhihysenin.

Sportisti i mirënjohur ishte lënë jashtë ekipit kuqezi për Kampionatin Evropian të të rriturve, që starton më 4 prill në Rumani. 23-vjeçari kishte akuzuar se pjesëmarrja i ishte mohuar pa të drejtë, pas garës në kampionatin kombëtar. Por, gjithçka është zgjidhur pas takimit që Haxhihyseni zhvilloi me presidentin e FSHP-së, Esat Ademi.

“U takova me presidentin e federatës dhe ai u shpreh i gatshëm të më ndihmonte në këtë kërkesë timen, duke qenë se kam qenë gjithmonë pjesë e kombëtares. Ai pranoi që me prezencën time të plotësohej vendi bosh në skuadër dhe për këtë dëshiroj ta falënderoj”, tha sportisti. Në Evropian, Shqipëria do të marrë pjesë me shtatë peshëngritës, duke synuar fitimin e medaljeve.

Top Channel