Daum, leksione trajnerëve kosovarë

14/03/2009 08:45

Kristof Daum, trajner i Këlnit në Bundesligën gjermane do të zhvillojë një seminar me trajnerët kosovarë të futbollit.

Më 16 mars, ish-drejtuesi i Shtutgartit, Bajer Leverkusen, Fenerbaçes dhe Beshiktashit do të paraqitet në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë.

“Daum vjen për ta mbajtur një ligjëratë përpara trajnerëve të klubeve të Kosovës. Ky do të jetë seminar njëditor, në të cilin do të diskutohen disa tema. Njëra prej tyre është ‘Krijimi i personalitetit si trajner dhe pedagog’. Përveç kësaj do të shtjellohet edhe tema ‘Si të arrijë trajneri suksese në futboll’. Natyrisht që flitet edhe për shumë gjëra të tjera”, deklaroi Ajet Shosholli, kreu i Këshillit Profesionist në Federatën Kosovare të Futbollit.

“Leksioni” i Kristof Daum do të shoqërohet edhe me pamje filmike, ndërkohë që në këtë seminar pritet të marrin pjesë trajnerët nga klubet e të gjitha niveleve të futbollit kosovar, duke mos përjashtuar këtu as ata teknikë që aktualisht nuk janë të angazhuar nëpër skuadra.

Top Channel