Lideri i LSI-së, Ilir Meta, vazhdoi edhe dje vizitën në Londër me takime të shumta në Downing Street dhe Foreign Office.
Meta është pritur në një takim të veçantë nga Stewart Woods, i cili është këshilltari për politikën e jashtme i Kryeministrit Gordon Brown.
Në takimin e zhvilluar me zotin Woods, lideri i LSI-së ka shprehur shqetësimin e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në vendin tonë dhe zhvillimin e tyre sipas standardeve.
Gjithashtu, në takimin mes Metës dhe këshilltarit të politikës së jashtme të Kryeministrit Brown është diskutuar lidhur me Kosovën dhe rajonin. Kreu i LSI-së u prit në Foreign Office nga Caroline Flint, e cila është ministre për Evropën e Britanisë së Madhe.
Edhe gjatë këtij takimi, tema kryesore e bisedës është fokusuar te zgjedhjet e qershorit në Shqipëri. Duke bashkëbiseduar me Caroline Flint, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur për forcimin e mëtejshëm të raporteve dhe marrëdhënieve me Britaninë e Madhe. Meta takoi edhe kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin britanik, Mike Gapes.
Meta dhe Gapes kanë diskutuar për zgjedhjet në Shqipëri, ku kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit britanik, Gabes, tha se këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Një tjetër takim ishte ai me nënkryetarin e opozitës britanike, Alister Burt. Gjatë bisedës së zhvilluar me Burt, Meta diskutoi mbi situatën politike në Shqipëri, veçanërisht për zgjedhjet e ardhshme, si dhe për situatën në rajon.
Top Channel